Për gati dy vite, marrëdhënia mes Sali Berishës dhe SPAK-ut u shndërrua në një nga skenat më të ashpra të konfliktit mes politikës dhe drejtësisë.

Berisha e konsideroi një luftë politike, nisur edhe nga fakti se kallëzimi për dosjen e privatizimit të ish kompleksit “Partizani”, ishte dorëzuar nga kryetari i grupit socialist Taulant Balla.

SPAK fillimisht kërkoi masën “detyrim paraqitjeje”, dhe ndalim për dalje jashtë shtetit për Berishën.

Në atë kohë thirrjet zyrtare për t’u paraqitur për t’u njohur me masën e sigurimit u refuzuan publikisht nga kreu i PD-së, i cili përbetohej se nuk i bindej një ‘vegle politike’.

Mospërfillja e vendimeve të prokurorisë e shtyn SPAK-un të ndërmarrë hapin më të fortë: kërkesë për masë më të rëndë sigurie, atë të arrestit shtëpiak.

Pas këtij momenti, sulmet shpërthyen në arenë të hapur.

Protesta, konferenca urgjente, akuza për “puç institucional”, të gjitha u zhvilluan paralelisht me çdo hap procedural të SPAK.

Kjo strategji nuk është e re. Ish kryeministri ndërtoi një narrativë ku ai paraqitet si figura e vetme që po goditet “politikisht”, duke tentuar të zhvendosë çështjen nga juridike në moral e politik.

“Është afër mendsh normale që për sa SPAK në proceset e tij hetimore do vazhdojë të godasë zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar për korrupsion do ketë pasoja politika dhe do të ketë edhe reagime politike”, u shpreh avokati, Rezart Kthupi.

“Mund të ishte shumë më e kujdesshme në hetime, apo masa sigurimi të personazheve publik të politikës, për mos lënë përshtypjen sikur prokuroria ndërhyn në luftën politike, apo konkurrencën politike të një vendi”, u shpreh Gentian Tërnava, ish-prokuror.

Në dosjen e SPAK-ut, hetimi për korrupsion e vuri ish-kryeministrin në të njëjtën dosje me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili sipas akuzës përfitoi 5.4 milionë euro nga një projekt ndërtimi, falë vendimeve të qeverisë ku vjehrri i tij ishte kryeministër.

Hetimi u mbyll, pas muajsh dokumentimesh dhe përplasjesh procedurale. SPAK e çoi çështjen për gjykim, por procesi zvarritet me shtyrje të pafundme.

Kërkesa të mbrojtjes dhe manovra ligjore. Vetëm pas rreth 8 muajsh, gjyqtarja Flojera Davidhi e kaloi dosjen për gjykim në themel. Një gjykim që edhe sot ka mbetur peng i manovrave.

Por, historia nuk nis sot për prokurorin Dumani dhe politikanin Berisha. Rrugët e tyre janë kryqëzuar edhe 15 vite më parë kur Berisha ishte kryeministër dhe ai hetonte tragjedinë e Gërdecit.

Ne qershor të vitit 2010, Altin Dumani, dha një intervistë për televizionin Al Jazeera si një prej prokurorëve të çështjes së Gërdecit.

I pyetur nga gazetarja Ilva Tare nëse do ta thërriste Shkëlzen Berishën, ai deklaroi aso kohe se kolegët e tij gjatë hetimit paraprak kanë konkluduar se nuk ka qenë e nevojshme pyetja apo marrja si dëshmitar e djalit të kryeministrit të asaj kohe Berisha.

I pyetur nëse ka pasur intimidime, Dumani u përgjigj prerë se asnjë prej prokurorëve të çështjes nuk ka ndjerë presion politik.

Sot, 1 dekadë e gjysmë pasi u konkludua me dënime minimale për biznesmenët dhe disa zyrtarë, dosja Gërdeci ka hapur një kapitull të ri duke vënë nën akuzë ish ministrin e kohës Fatmir Mediu.

Dosja e riçelur nga SPAK në kohën që drejtohej nga Arben Kraja, tashmë është në proces gjykimi në GJKKO. Por, të vërtetat e Gërdecit nuk u zbardhën kurrë të plota./TopChannel