Nëse je i pasur, mund të bësh çfarë të duash. Kjo fjali përmbledh historinë e pazakontë të një miliarderi kinez që do të ishte e denjë për krijimin e filmave fantashkencë.

Corriere della Sera shkruan se Xu Bo, një miliarder kinez i pasuruar nga lojërat online, akuzohet se ka sjellë në jetë dhjetëra fëmijë përmes shtatzënive me nënë surrogate në Shtetet e Bashkuara, pa i njohur kurrë personalisht.

Gjyqtarja e Los Angeles, Amy Pellman, ka pezulluar disa procedura ligjore pasi u vu re numri i madh i kërkesave për njohje fëmijësh të lidhura me emrin e Xu Bo. Hetimet zbuluan se ai mund të ketë të paktën 100 fëmijë në Kaliforni (të gjithë meshkuj) dhe rreth 300 të tjerë në Kinë, të lindur përmes surrogacisë ose në marrëdhënie jashtë martese.

Xu Bo, i lindur në Wuhan në vitin 1977, zyrtarisht ka 12 fëmijë nga gjashtë gra të ndryshme, por asnjëra e martuar me të. Ai ka deklaruar se nuk beson në martesë, duke e cilësuar si një institucion që shpesh përfundon me divorc dhe ku gratë mbeten të dëmtuara.

Ky fenomen ka nxitur debat të gjerë në Kinë, ku gjithnjë e më shumë të pasur po përdorin surrogacinë për të siguruar trashëgimtarë, duke zgjedhur edhe gjenet e nënës sipas kritereve të bukurisë, inteligjencës apo forcës.

Madje janë krijuar agjenci të specializuara që ofrojnë vezë nga modele apo gra të konsideruara “superiore”, me synimin e krijimit të aleancave familjare të ngjashme me ato të epokës perandorake.

Rasti i Xu Bo-së ka rikthyer kujtimet e traditave të vjetra dinastike, të cilat Mao Zedong kishte tentuar t’i zhdukte gjatë Revolucionit Kulturor. Sot, ndërsa Kina po ecën me hapa gjigantë në teknologji dhe shkencë, pjesë e elitës së saj duket se po rikthehet tek praktikat e vjetra të sigurimit të trashëgimtarëve meshkuj, duke e parë pasurinë si mjet për të kontrolluar jetën private.