Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka zhvilluar një aksion në kompleksin rezidencial “Secret Garden”, në fshatin Lundër të Tiranës. Inspektorë të IKMT-së, të IMT-së pranë Bashkisë Tiranë dhe efektivë të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë mbërritur në ambientet e kompleksit luksoz për të verifikuar ndërtimin e vilave pa leje nga ndërtuesi i këtij kompleksi, Shefki Karamuça.

Karamuça, ish-kryetar i Bashkisë Vorë, është i natyralizuar në biznesin e ndërtimit, duke ngritur pallate dhe komplekse vilash në Tiranë dhe Sarandë. Gjykata e Tiranës ka urdhëruar më parë konfiskimin e të paktën 7 vilave luksoze në zonën e Mulletit, pas hetimeve të Prokurorisë që zbuluan se ato ishin ndërtuar pa leje.
Lajmi i raportuar nga gazetari Elton Qyno.

Ndërkohë, ministrja e Brendshme Albana Koçiu, e shoqëruar nga forcat e policisë dhe inspektorët e IKMT-së, është rikthyer në zonën e Farkës për të vijuar aksionin e lirimit të hapësirave të zëna nga ndërtimet e paligjshme. Burime për Newsbomb.al bëjnë me dije se disa prej objekteve që rezultojnë pa leje janë vlerësuar për përdorim tritoli, ndërsa 10 vila janë rrethuar dhe u është vendosur shiriti i bllokimit nga IKMT, pasi dyshohet se janë ndërtuar jashtë kushteve të lejes së dhënë.

Gjatë deklaratës së saj në terren, ministrja Koçiu theksoi se operacioni për vendosjen e ligjshmërisë mbi territorin do të vijojë pa kompromis. Ajo u shpreh se kontrollet kanë zbuluar jo vetëm ndërtime të paligjshme nga subjekte private, por edhe raste të mos-përmbushjes së detyrës nga punonjës publikë.

“Kontrollet tregojnë se abuzimet nuk lidhen vetëm me qytetarë, por edhe me mospërmbushjen e detyrës nga punonjës publikë. Askush nuk do të mbrohet, pavarësisht pozicionit apo funksionit. Ligji është i barabartë për të gjithë. Ndërtuesit duhet të tregojnë kujdes maksimal, sepse shfrytëzimi i çdo metri katror më shumë se leja e dhënë do të penalizohet rëndë: me gjoba, ndjekje penale dhe prishje të menjëhershme të ndërtimeve,” deklaroi Koçiu.

Aksionet e IKMT-së pritet të vijojnë në disa zona të Tiranës, ku dyshohet për ndërtime që nuk përputhen me lejet urbanistike.