Ish-prokurori Ervin Karanxha bëri kritika të forta ndaj mënyrës se si po zbatohet reforma në drejtësi dhe veçanërisht ndaj qëndrimeve të SPAK, gjatë një interviste në emisionin “Off the Record” në A2 CNN, të moderuar nga Andrea Danglli. Sipas tij, Prokuroria e Posaçme ka mbajtur standarde të dyfishta në trajtimin e çështjeve të ndryshme penale.

Karanxha solli si shembull kontrastin mes mosrifillimit të çështjes Durrës-Kukës dhe rihapjes së dosjes Gërdeci, ku është proceduar ish-ministri Fatmir Mediu. Sipas tij, në të dy rastet kemi ndryshime të ligjit procedurial për mënyrën e ndjekjes penale të zyrtarëve të lartë, por SPAK ka vepruar ndryshe, duke krijuar perceptimin e standardeve të pabarabarta.

Ai theksoi se burimi i konfliktit institucional që po shfaqet sot lidhet drejtpërdrejt me nenin 288 të Kodit të Procedurës Penale, i cili, sipas Karanxhës, është hartuar me një teknikë legjislative të gabuar dhe të paqartë. Ky nen, sipas tij, nuk përcakton qartë se për cilat masa sigurimi kërkohet autorizim i Kuvendit, duke krijuar konfuzion për arrestin në burg, arrestin në shtëpi, kontrollin personal apo kontrollin e banesës, shkruan A2 CNN.

Ish-prokurori nënvizoi se ky paqartësim ka sjellë pasoja serioze në praktikë dhe ka hapur rrugë për interpretime të ndryshme nga SPAK. Sipas tij, interpretimi kushtetues i këtyre dispozitave nuk është detyrë e prokurorisë, por e Gjykatës Kushtetuese.

Karanxha komentoi edhe projektin e Kodit të ri Penal, duke e cilësuar atë si “një masakër”, që rrezikon të penalizojë veprime të pakonceptueshme dhe të prodhojë kaos juridik, duke ia faturuar më pas fajin zbatuesve të ligjit. (A2 Televizion)