Kur funksionojnë institucionet e drejtësisë, të cilat kanë në themel përpos hetimit e gjykimit për një vepër penale të caktuar, edhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe jo poshtërimin njerëzor, atëherë drejtësia jep me të vërtetë drejtësi! Ndaj kujtdo qoftë! Këtë leksion drejtësie ka dhënë prokuroria e BE, me vendimin më të fundit për zyrtaren më të lartë që ka drejtuar diplomacinë në Unionin Evropian!
E themi këtë, pasi ish-përfaqësuesja e lartë e BE për politikën e jashtme, Federica Mogherini, e ndaluar më 2 dhjetor, në kuadër të një hetimi për mashtrim që përfshiu Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm dhe Kolegjit të Europës, u lirua gjatë natës, rreth orës 01:00 pas mesnate.
Mogherini ka qëndruar disa orë në dhomat e paraburgimit, ndalim me sa duket vetëm sa për t’i komunikuar me qetësi akuzën, ku hetimi lidhet me postin aktual të saj, si rektore e Kolegjit të Europës. Pra është pyetur për emrin, mbiemrin, emrin e babait, ditëlindjen dhe gjëra të tjera të këtij lloji, dhe në mesnate është lënë e lirë që të shkojë në shtëpi, për ta bërë gjumin të qetë dhe për t’u përgatitur në liri që të përballojë akuzat që ajo ka në ngarkim për mashtrim, pasi Kolegji i Europës dyshohet se fitoi një garë të pandershme përballë disa universiteteve të tjera prestigjoze europiane për organizimin e Akademisë! Bashkë me të janë liruar dhe dy të ndaluarit e tjerë! Edhe ata, nuk kanë ‘buajtur’ në qelitë e paraburgimit në Belgjikë, por në shtëpitë e tyre!
Por, arrestimi të martën e kësaj jave e Frederica Mogherinit, reflektoi dhe në Shqipëri, duke krijuar ndjenja të përziera në radhët e politikës si dhe të drejtësisë së re shqiptare! Kjo e fundit, më tepër e ka ‘përtypur’ në heshtje këtë ngjarje që mori vëmendjen e evropianëve të martën!
Si gjithnjë, opozita shqiptare e drejtuar nga Sali Berisha ishte në delir për këtë arrestim! Që nga kreu i PD e deri tek ‘ushtari’ më i fundit i kësaj partie, nuk janë shumë në fakt pasi kanë ‘firuar’ goxha në këto 12 vite qëndrimi në opozitë dhe akoma më shumë pritet në të ardhmen kur të bëjnë 16 apo 20 vite jashtë pushtetit, pra të gjithë në opozitë kanë qënë në delir për këtë vendim të prokurorëve dhe gjykatësve belgë, të cilët ‘mbyllën në paraburgim komunisten Mogherini’!
E quajtën si një shpagim këtë arrestim, për tërë ‘mallkimet’ e opozitarëve shqiptarë ndaj Mogherinit, ‘mikes së Edi Ramës’, dhe nuk u përmbajtën për asnjë moment në fluksin e mesazheve përmes të cilave sulmonin ashpër dhe pa doganë ish numrin një të diplomacisë së Bashkimit Evropian, si të korruptuar, madje duke e quajtur dhe ortake të kryeministrit shqiptar! Duke i bërë atë linçimin politik që lidershipi i opozitës është mësuar të bëjë ndaj kundërshtarëve të vet politik, pavarësisht se deri më tani s’ka një vendim gjykate për Mogherinin, e për pasojë deri në këtë vendim ajo quhet e pafajshme, pavarësisht nga akuzat që ka në kurriz!
Nuk lanë gjë pa thënë dhe këto 24 orë për Mogherinin, lideri i opozitës dhe mbështetësit e tij, të cilët dukeshin sikur kishin në ‘tabelë’ për të goditur kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij, teksa përmendin edhe mbështetjen që numri dy i BE i ka dhënë në mënyrë të vazhdueshme qeverisë shqiptare dhe kreut të saj! Anipse mbështetja e ish shefes së diplomacisë së BE ka qënë vetëm e vetëm për integrimin e Shqipërisë në BE. Po ku pyet Berisha, atij nuk i intereson anëtarësimi i Shqipërisë në Evropë, por halli i tij personal! Për më tepër që nuk ia fal Ramës suksesin në bashkëpunimin me përfaqësuesit e vendeve aleate, në funksion të integrimit! Ndaj godet çdo njeri, qoftë dhe pse ka bërë foto me kreun e mazhorancës aktuale! Madje nuk ka munguar të bëjë dhe thirrje ndaj BE për t’i vënë kushte Shqipërisë për anëtarësimin!
Me sa duket lirimi i Mogherinit e ka gjetur të ‘papërgatitur’ Berishën dhe mbështetësit e tij të paktë në Shqipëri! Nuk e dimë me tamam se si do të reagojë tashmë që është në liri ish numri dy i BE, e cila për hir të së vërtetës ka dhënë aq shumë mbështetje për Shqipërinë në procesin e integrimit, por jemi shumë të bindur se Berisha do ta përshtasë dhe këtë vendim të gjykatës së Brukselit me kërkesë të prokurorisë belge, me hallin e tij personal!
Berisha është mjeshtër i ‘piruetave’ politike, madje për të ndryshuar qëndrime e deri dhe mohuar fjalët e tij! Nuk do të jetë çudi, që duke filluar që ditën e sotme të akuzojë drejtësinë shqiptare për vendimin e dhënë ndaj tij, për arrestin shtëpiak të tij, që kishte lidhje me thyerjen e urdhërit të gjykatës për ‘detyrim paraqitje’ për aferën e ish kompleksit sportiv ‘Partizani’ në favor të dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi!
Berisha nuk ka turp ta përdorë dhe rastin “Mogherini’, si ‘etalon’ për ta krahasuar me vendimin ndaj tij, e për të sulmuar drejtësinë e re! Pavarësisht se për 24 orë sëpaku ka qënë në delir bashkë me mbështetësit e tij për arrestimin e ish numrit dy të BE, njëherësh ish shefe e diplomacisë së Uinionit, një kontributore e flaktë për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian! Madje në vijim mund ta përdorë dhe për të sulmuar Irena Gjokën apo të gjithë ata prokurorë e gjyqtarë të posaçëm që nuk i kanë shkuar për ‘osh’ hallit të tij me drejtësinë për “Partizanin’ dhe tashmë për masakrën e 21 janarit 2011 ku Garda vrau 4 demonstrues të pafajshëm të opozitës së atëhershme, në mes të bulevardit, përballë kryeministrisë!
Nga ana tjetër, Berisha kurrë nuk zhgënjen! Pasi këtë të mërkurë i ka bërë thirrje Prokurorisë Publike Europiane, që ‘të hetojë marrëveshjen e fshehtë Rama-Mogherini për ndërtimin e Kolegjit Evropian në Tiranë, Ju bëj thirrje të hetojnë email-et, ‘sms’-të që Rama ka shkëmbyer me Mogherini e në veçanti të hetohen komunikimet e tyre me telefona të koduara SkyEcc, Matrix për të cilat është vërtetuar se Rama i ka përdorur në raste të tjera të korrupsionit ndërkombëtar. Shqiptarët do të vlerësonin hetimin e lobimit që Mogherini ka bërë për Ramën, sukseset e tij imagjinare, mbulimet e megaskandaleve të tij në Bruksel dhe angazhimin e saj kundër opozitës shqiptare”. Berisha i bën thirrje BE, pavarësisht se drejtësinë shqiptare se njeh!
Njëherësh, jemi të sigurtë që vendimi i drejtësisë belge për të liruar Mogherinin, pa mbushur as disa orë në paraburgim, nuk e pengoi dhe më tej Berishën për të sulmuar Ramën se po bën presion mbi drejtësinë, duke e quajtur ‘rastin më të pashembullt’ sipas tij, vetëm e vetëm se qeveria e drejtuar nga Rama ankimoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e SPAK e të GJKKO për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Industrisë dhe Energjetikës, Belinda Balluku, si një shkelje të kompetencave të ekzekutivit nga drejtësia!
Berisha i ngre në ‘qiell’ prokurorin dhe gjyqtarin që vendosën për këtë pezullim, duke i quajtur si pjesë e drejtësisë së re që zbaton detyrën, ligjin dhe Kushtetutën e këtij vendi! Fundja Berisha kështu i quan të gjithë ata gjyqtarë dhe prokurorë që marrin vendime kundër përfaqësuesve të mazhorancës! Ndërsa ata që hetojnë dhe do të vendosin për akuzat ndaj tij, janë akuza të rënda për korrupsion të përgjakshëm e me viktima ato të Berishës, ish kryeministri demokrat i sulmon, i akuzon dhe i kërcënon rëndë! Berisha është i vetmi politikan që në mëngjes proteston kundër SPAK e pasdite deklarohet pro SPAK! Sipas hallit të tij personal! Pra, me dy fytyra në një ditë!
Njëherësh ndalimi dhe lirimi pas disa orëve i Mogherinit nga ana e drejtësisë belge është dhe një leksion për drejtësinë e re shqiptare! Eshtë një leksion konkret për ‘paketën’ SPAK-GJKKO, se si duhet të hetohet e të gjykohet një zyrtar i lartë, i cili në rastin më të thjeshtë nuk përbën rrezik as për të dalë jashtë vendit dhe as për të prishur provat! Pasi, kur ngrihet një akuzë dhe zyrtari merret i pandehur, presupozohet se prokuroria i ka ‘kopsitur’ provat kundër tij, ndërsa gjykata që përcakton masën e sigurisë i ka parë këto prova dhe është bindur se ai e meriton këtë akuzë!
Drejtësia e re shqiptare, duhet të kuptojë përmes këtij ‘leksioni’ të drejtëpërdrejtë e falas të BE se, suksesi i saj s’matet me numrin e zyrtarëve apo njerëzve të inkriminuar ke plasur brenda në paraburgim, me një akuzë e cila pasi hidhet si ‘telenovelë’ në media për linçim publik, do të përdoret më pas për të kapur ndonjë provë rrugës, siç ka ndodhur jo shumë rrallë deri më tani! Qofshim të gabuar, pasi e mbështesim me sinqeritet drejtësinë dhe duam që të korruptuarve, pavarësisht se cilit krah politik i përkasin, drejtësia jonë e re, për të cilën dhe paguajmë sa ‘i motit të ëmën’, t’ua nxjerrin ‘ujin e zi’. Por ama, mbështetur në ato të shkreta prova e fakte dhe pa na e ngritur akoma më lart faturën financiare, duke i mbyllur në paraburgim pa pasur nevojë!
Prandaj themi se se vendimi i drejtësisë së BE-së për Mogherinin është dhe një leksion për drejtësinë e re shqiptare, pasi jemi në vend të parë në Europë për numrin e të paraburgosurve për frymë të popullsisë! Madje dhe të parët për metër katrorë po të doni! Se ne shqiptarët nuk kemi masë në atë që bëjnë, e kemi treguar se e kapërcejmë gjithnjë kufirin e lejuar, duke zgjedhur si gjithnjë ‘rrugë të reja dhe të pashkelura’! E kemi trashëgim nga komunizmi i Enver Hoxhës!
Kështu drejtësia bëri me ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, atë ‘kamionistin’ që e nisën hetimin me akuzën për grup të strukturuar kriminal dhe në mungesë të provave e katandisën në ‘shpërdorim detyre’, akuzë me të cilën mund të dënohen që nga drejtuesi më i lartë e deri tek ai më i thjeshti! Edhe Berisha mund të dënohet për shpërdorim detyre, nëse ankohet gjenerali Piro Ahmetaj për shkarkimin dhe zëvendësimin e tij nga gjeneral Xhemal Gjunkshi si ‘komisar’ i Sigurisë në PD!
Për shpërdorim detyre sipas këtij ‘kuti’mund të dënohen dhe gjyqtarë e prokurorë të posaçëm për sjelljen ndaj të pandehurve. Sidomos nëse e vendos Strasburgu si në rastin e Thoma Gëllçit. ‘Shpërdorimi i detyrës’ është një akuzë thjeshtë ‘hapje krahu’, dhe dënim për statistikë! Por ama Tahirit i shkatërruan jetën, i shkatërruan karrierën, thjeshtë e vetëm se drejtësisë i duhej pak statistikë! Pa prova, por përmes linçimit publik, që ia bënë përmes ‘mercenarëve’, ndonëse të paktë, të medias. Thjeshtë për këtë keqkuptimin e madh, ku suksesi i drejtësisë matet me akuzat që ngre SPAK, dhe jo me vendimet që jep gjykata! Atëherë kur jep tamam drejtësi, themi!
Kështu po veprohet dhe me zyrtarët e tjerë, të cilët gjenden nëpër paraburgime, pa ndonjë akuzë të formatuar tamam, që të justifikonte qëndrimin e tyre në qeli! Mund të hetoheshin dhe jashtë burgut, në gjendje të lirë pasi nuk ikin asnjëri prej tyre. Kursehej dhe në shpenzime, pasi do të vetëtrajtoheshin në shtëpi, s’do të kishin eskorta policie nga pas sa herë lëvizin drejt gjykatave, dhe mbi të gjitha do të lironin dhe ndonjë vend, për të qënë me hapësirën e duhur nëpër qelitë e paraburgimit, për ata që janë tamam për paraburgim!
Prandaj themi se rasti “Monghorini” është leksioni më i drejtëpërdrejtë që drejtësia e BE-së ka dhënë për drejtësinë e re shqiptare, në raport me hetimin e një akuze sado të rëndë, në raport me respektimin e të drejtave të njeriut të të akuzuarve si dhe prezumimin e pafajësisë! Pasi në asnjë rresht të mediave evropiane për Mohgherinin, nuk u publikua lista e materialeve të gjetura apo të kontrolluara në banesën e ish zyrtares së lartë të BE dhe dy zyrtarëve të tjerë! Apo siç bënte ironi dhe ish ministri shqiptar i Drejtësisë, aspak i afërt me qeverinë aktuale, i cili ishte i ‘dëshpëruar’ për faktin se nuk e mori që nuk e mori vesh listën e brekëve dhe pajisjeve të tjera në pronësi të Mogherinit, pas kontrollit që i bë banesës në Belgjikë! Bënte analogji me Shqipërinë ai!
Një leksion që me shpresë të Zotit do të shërbejë dhe për SPAK që të bllokojë në të ardhmen ‘rrjedhjen orientuar’ të informacioneve te mediat, por dhe për gjykatën që të mos jetë thjeshtë ‘në një mendje’ gjithmonë me kërkesat e SPAK, të cilat i kthen në vendime! Që shkaktojnë dhe dëm! Flasim, që të hiqen dhe ato ‘fishat e përgjimit’ nga ana e prokurorëve të posaçëm, që janë bërë një makth për gjyqtarët, deri tek gjyqtarët anëtar të Gjykatës Kushtetuese, duke qënë një ndikues i drejtëpërdrejtë në vendimet e tyre! E kanë pranuar vetë përgjimin të dyja palët, dhe me prokurorët e posaçëm që janë ‘zotuar’ se nuk e përsërisin më këtë ‘gabim’! Kush na garanton se!
Të paktën prokurorëve e gjyqtarëve të posaçëm të mos u shkojë mendja deri atje sa të jenë të bindur se mund të pezullojnë apo shkarkojnë ministra, kryeministra e deri qeverinë e zgjedhur me votën e shqiptarëve, duke kaluar kufirin mes pushteteve, pasi do të ishte dramë! Sepse nëse drejtësia e re përcakton dhe se kush do jetë kryeministër e kush ministër, atëherë dhe zgjedhjet do të ishin të panevojshme. Shpenzim i kotë, me një fjalë në këtë rast! Por dhe tallje e madhe me votën e shqiptarëve. Të shohim sa ka ndikuar mesazhi ‘Mongherini’, shpresa vdes e fundit!




















