Zhvillimet gjyqësore për vrasjen e biznesmenit Edmond (Mondi) Mëhalla mbrëmjen e 30 nëntorit marrin sot një tjetër kthesë të rëndësishme, pasi në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan do të mbahet seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarit Nevzat Spaho i dyshuar si bashkëpunëtor në ekzekutimin e tij me armë zjarri tip pistoletë.

Lidhur me këtë çështje Prokuroria e Elbasanit ka depozituar dje kërkesën për masë sigurie me objekt “vleftësim ndalimi, caktim mase sigurimi” ndaj Nevzat Spahos, i dyshuar si bashkëpunëtor në ekzekutimin e biznesmenit 43-vjeçar.

Seanca do të zhvillohet sot, më 6 dhjetor 2025, në orën 10:30, dhe sipas vendimit të gjykatës do të mbahet me dyer të mbyllura. Çështja shqyrtohet nga gjyqtari Elis Dine, i cili një ditë më parë ka dhënë masa të ngjashme sigurie për dy të dyshuar të tjerë.

Dje, gjykata vendosi “arrest me burg” për:

Xhino Agon, i akuzuar si bashkëpunëtor në vrasje

Kujtim Pishën, roje karburanti, i akuzuar për moskallëzim të krimit

Seanca e tyre zgjati mbi dy orë dhe u zhvillua po ashtu me dyer të mbyllura. Palët u njohën me aktet e dosjes dhe dëshmitë e personave të pyetur.

Burimet nga salla e gjyqit bënë të ditur se ka tërhequr vëmendje deklarimi i familjarëve të Mëhallës, të cilët kanë pohuar se familja e tyre ka pasur lidhje miqësore të ngushta me familjen Ag ,pretendime që u mbështetën edhe nga familjarët e Xhino Agos jashtë gjykatës.

Prokuroria e lidh Agon me ngjarjen përmes automjetit të përdorur ditën e atentatit, mjet që i përkiste një kompanie të drejtuar nga Mëhalla dhe Ago, dhe që ky i fundit e kishte dhënë në përdorim te persona të tretë.

Mbrojtja e Kujtim Pishës kërkoi lirimin e tij, duke pretenduar se ai ndodhej duke konsumuar darkë në momentin e vrasjes, por argumentet nuk u morën në konsideratë nga gjyqtari Dine.