Në studimet historike dhe liturgjike të krishterimit ekzistojnë dy teori kryesore për të shpjeguar pse festa e Krishtlindjes u vendos të kremtohej më 25 dhjetor. Teoria e parë, e përhapur gjerësisht, e lidh këtë datë me festat pagane romake. Teoria e dytë, më pak e njohur, por kronologjikisht më e hershme dhe më mirë e dokumentuar, e shpjegon vendosjen e kësaj date si rezultat të një përllogaritjeje teologjike dhe simbolike të zhvilluar brenda traditës judeo-kristiane. Në vijim do të analizohen në mënyrë kritike të dyja këto teori.
Teoria e zëvendësimit të festave pagane
Teoria më e njohur pretendon se festimi i Krishtlindjes më 25 dhjetor ishte një përpjekje e të krishterëve për të konkurruar ose zëvendësuar festën e Sol Invictus-it (“Dielli i Pamposhtur”), një hyjni romake e diellit. Megjithëse kjo teori është sot gjerësisht e përhapur, pak dihet fakti se ajo shfaqet relativisht vonë në burimet historike. Referenca më e hershme e njohur gjendet vetëm në shekullin XII dhe buron nga një shënim anësor (në anë të faqes) në një dorëshkrim të Dionysius bar-Salibi-t (1100–1171). Aty thuhet se festa e lindjes së Jezusit u zhvendos nga 6 janari në 25 dhjetor për t’u përputhur me festën pagane të Sol Invictus-it.
Duhet theksuar se, duke qenë se ky pohim nuk gjendet në tekstin origjinal të autorit, por vetëm si shënim anësor, ai nuk përfaqëson mendimin e vetë Dionysius bar-Salibi-t, por është një koment i shtuar nga një kopjues ose lexues i mëvonshëm. Për rrjedhojë, ky burim nuk mund të trajtohet si dëshmi historike parësore.
Pikërisht mbi baza të tilla të pasigurta u ndërtua më vonë një narrativë më e gjerë kritike, e cila u rimor dhe u përhap nga disa figura protestante, veçanërisht në traditën puritane. Këta, që në shekujt XVI–XVII, shprehën dyshime dhe kundërshtime ndaj mënyrës se si festohej Krishtlindja. Edhe pse motivimi i tyre ishte shpesh i sinqertë dhe i lidhur me një dëshirë për përkushtim moral dhe shpirtëror, zgjidhja që ata propozuan – duke e trajtuar vetë festën si problematike në thelb – rezultoi e tepruar dhe kontribuoi në forcimin e narrativës se Krishtlindja kishte origjinë pagane, një ide që më pas u përhap gjerësisht në diskursin modern.
Një shqyrtim i kujdesshëm i burimeve të hershme historike tregon të kundërtën: të dhënat jo vetëm që nuk përmbajnë asnjë pohim se data e Krishtlindjes u zgjodh për t’u përshtatur apo për të “pagëzuar” festat pagane, por përkundrazi tregojnë se festimi i kultit pagan të Sol Invictus-it më 25 dhjetor shfaqet më vonë sesa koha kur tradita e krishterë kishte filluar tashmë të kremtonte në këtë datë lindjen e Krishtit.
Në fakt, në kalendarët romakë, data e festës së Diellit nuk ka qenë e fiksuar njëherë e përgjithmonë. Burime të ndryshme përmendin kremtime të Soli Invictus-it më 8, 9 ose 28 gusht, më 19 ose 22 tetor, apo 11 dhjetor, çka tregon se adhurimi i Diellit nuk ishte i përqendruar domosdoshmërisht te solstici i dimrit, e aq më pak i lidhur në mënyrë ekskluzive me 25 dhjetorin.
Ajo që mund të pohohet me siguri është se vetëm në vitin 274 pas Krishtit shfaqet për herë të parë një lidhje e dokumentuar midis kultit të Sol Invictus-it dhe datës 25 dhjetor, kur perandori Aurelian e rigjallëroi zyrtarisht këtë kult, e shpalli Sol-in një nga hyjnitë kryesore të perandorisë dhe i kushtoi një tempull monumental në Romë, i përuruar pikërisht në këtë datë (25 dhjetor). Megjithatë, duhet theksuar se bëhet fjalë për përurim të një tempulli, dhe jo për zyrtarizim të një feste liturgjike të mirëfilltë për këtë hyjni romake. Do të duheshin ende disa dekada që kjo datë të konsolidohej dhe të merrte statusin e një feste të rregullt brenda kultit pagan shtetëror.
Përmendja e parë e dokumentuar e datës 25 dhjetor si festë në nder të perëndisë romake të diellit gjendet në Kalendarin e Filokalusit, i hartuar nga Furius Dionysius Filocalus dhe i njohur si Chronographus Anni 354, i përfunduar në vitin 354 pas Krishtit. Ky dokument shënon për datën 25 dhjetor formulimin “Natalis Invicti” (“ditëlindja e të Pamposhturit”), të cilin shumica e studiuesve e interpretojnë si një referencë ndaj festës së Sol Invictus-it.
Teoria e përllogaritjes teologjike
Në dorëshkrimet e hershme të krishtera nuk ka dëshmi se lindja e Krishtit të jetë festuar gjatë dy shekujve të parë. Deri rreth vitit 200 pas Krishtit, duket se nuk kishte ende një konsensus të qartë për datën e lindjes së Tij. Sipas Klementit të Aleksandrisë, grupe të ndryshme të krishtera kishin propozuar data të ndryshme, dhe ai nuk e përmend 25 dhjetorin mes tyre. Klementi shkruan:
“Ka disa që kanë përcaktuar jo vetëm vitin e lindjes së Zotit tonë, por edhe ditën; dhe ata thonë se ajo ndodhi në vitin e 28-të të Augustit dhe në ditën e 25-të të muajit [egjiptian] Pakhon [20 maj sipas kalendarit tonë]… Dhe duke trajtuar me shumë saktësi vuajtjen e Tij, disa thonë se ajo ndodhi në vitin e 16-të të Tiberit, më 25 të Famenothit [21 mars]; të tjerë më 25 të Farmuthit [21 prill]; dhe të tjerë thonë se Shpëtimtari vuajti më 19 të Farmuthit [15 prill]. Madje disa të tjerë thonë se Ai lindi më 24 ose më 25 të Farmuthit [20 ose 21 prill].”
Nëse në dy shekujt e parë Krishtlindja nuk festohej, dhe aq më pak më 25 dhjetor, lind pyetja: si u formua atëherë tradita e festimit të saj pikërisht në këtë datë?
Shpjegimi më i besueshëm për këtë zgjedhje nuk lidhet me ndikime nga festat pagane, por me një mënyrë të hershme të menduari teologjik, e përhapur në botën judeo-kristiane, sipas së cilës data e lindjes lidhej në mënyrë kuptimore me datën e vdekjes.
Siç shpjegon Andrew McGowan, profesor i Historisë së Krishterimit të Hershëm në Yale University, “sado e çuditshme të duket, çelësi për datimin e lindjes së Jezusit mund të gjendet te datimi i vdekjes së Tij gjatë Pashkës.” Në mesin e të krishterëve të hershëm qarkullonte një traditë e huazuar nga hebraizmi, sipas së cilës njerëzit e drejtë jetonin një jetë me numër të përsosur të viteve dhe ditëve, domethënë se vdisnin në të njëjtën datë kur kishin qenë të ngjizur.
Një besim i tillë dëshmohet qartë në literaturën rabinike. Talmudi Babilonas përmend një thënie të atribuar Moisiut: “Sot ditët dhe vitet e mia janë plotësuar dhe përmbushur plotësisht,” duke shpjeguar se “I Shenjti, i Bekuar qoftë Ai, i përmbush vitet e të drejtëve nga dita në ditë dhe nga muaji në muaj,” ashtu siç është shkruar: “Numrin e ditëve të tua do ta plotësoj” (Eksodi 23:26).
Në këtë kontekst, literatura rabinike ruan idenë se figura të shenjta, si Moisiu, vdiqën në përvjetorin e lindjes ose të ngjizjes së tyre. Duke marrë këtë traditë si pikë referimi, disa të krishterë të shekujve II–III arsyetuan se Njeriu më i shenjtë, Jezusi, do të kishte vdekur pikërisht në të njëjtën datë kur ishte ngjizur nga Fryma e Shenjtë, duke krijuar kështu bazën teologjike për përllogaritjen e datës së lindjes së Tij.
Si u përllogarit data 25 dhjetor?
Tertuliani i Kartagjenës (rreth 160–225 pas Krishtit.), një nga shkrimtarët më të hershëm të krishterë, ofroi një kronologji të detajuar të ngjarjeve të vuajtjeve të Krishtit. Sipas tij, Jezusi u kryqëzua në ditën e katërmbëdhjetë të muajit Nisan, sipas kalendarit hebraik (dita kur hebrenjtë thernin qengjin e Pashkës), datë që Tertuliani e barazoi me 25 marsin në kalendarin romak. Duke u mbështetur në traditën teologjike rabinike, të shpjeguar më sipër, sipas së cilës një njeri i drejtë apo i shenjtë e përfundon jetën e tij tokësore në të njëjtën ditë kur është ngjizur, rezulton se ngjizja e Jezusit do të kishte ndodhur në ditën e vdekjes së Tij. Si rrjedhojë, të krishterët e hershëm arsyetuan në mënyrë të natyrshme se lindja e Krishtit do të kishte ndodhur nëntë muaj më pas, çka e vendos këtë datë më 25 dhjetor.
Një shembull domethënës i kësaj përllogaritjeje, ku përmenden njëkohësisht data e lindjes dhe e vdekjes së Krishtit, gjendet në dorëshkrimet e Hipolitit të Romës (rreth 170–235), i cili njihet si teolog dhe kronograf i hershëm i Kishës. Në veprën e tij Komentar mbi Danielin (shkruar rreth vitit 204 pas Krishtit), ai shkruan:
“Për ardhjen e parë të Zotit tonë në mish, kur Ai lindi në Betlehem, kjo ndodhi më 25 dhjetor, ditë e mërkurë, në vitin e dyzet e dytë të sundimit të Augustit; …. Ai vuajti në vitin e tridhjetë e tretë, më 25 mars, ditë e premte, në vitin e tetëmbëdhjetë të Tiber Cezarit.”
Ky fragment përfaqëson një nga dëshmitë më të hershme që lidh drejtpërdrejt datën e lindjes së Krishtit (25 dhjetor) me datën e vdekjes së Tij (25 mars), duke reflektuar qartë parimin teologjik të përputhjes midis ngjizjes dhe vdekjes. Megjithatë, duhet thënë se disa historianë modernë kanë vënë në dyshim autenticitetin e këtij pasazhi, duke sugjeruar se ai mund të jetë rezultat i një ndërhyrjeje të mëvonshme në veprën e Hipolitit, dhe jo një formulim origjinal i vetë autorit.
Mirëpo, ekziston edhe një dëshmi tjetër e hershme që mbështet zhvillimin e traditës së festimit të Krishtlindjes më 25 dhjetor, e cila buron nga e njëjta qasje e përllogaritjes teologjike dhe që gëzon pranim të gjerë në studimet bashkëkohore. Kjo dëshmi lidhet me Julius Africanus (Sextus Julius Africanus, 160–240 pas Krishtit), një tjetër historian dhe kronograf i hershëm i krishterimit. Rreth vitit 221, në veprën e tij Chronographiai (Kronografitë), ai ofroi një interpretim alegorik dhe simbolik të kronologjisë biblike, duke ndërthurur të dhënat e Ungjillit me simbolikën kozmike të krijimit, dhe arriti në përfundimin se 25 marsi (ekuinsi pranveror) ishte dita e ngjizjes së Jezusit. Sipas kësaj llogaritjeje, data e lindjes së Jezusit do të përkonte me 25 dhjetorin, rreth kohës së solsticit dimëror. Edhe pse vet Africanus nuk e përmend shprehimisht datën e lindjes – pasi vepra e tij ka mbijetuar vetëm në fragmente – aludimi mbetet i qartë brenda logjikës së kronologjisë së tij.
Studiues modernë si William Adler dhe C. Philipp E. Nothaft kanë analizuar këto fragmente dhe vërejnë se Africanus mbështetej në traditën e përputhjes simbolike midis ngjizjes dhe vdekjes. Për rrjedhojë, në skemën e tij kronologjike, Jezusi u ngjiz më 25 mars dhe, pas nëntë muajsh, lindi më 25 dhjetor, duke e lidhur këtë datim me hyrjen e dritës hyjnore në botë në pikën më të errët të vitit.
Është me rëndësi të theksohet se ky diskutim teologjik mbi përllogaritjen e datës së lindjes së Krishtit më 25 dhjetor ishte zhvilluar tashmë në rrethet e teologëve të krishterë që në fillim të shekullit III. Dorëshkrimi i Julius Africanus-it, i vitit 221 pas Krishtit, e dëshmon këtë në mënyrë të qartë dhe e vendos këtë traditë të paktën pesë dekada përpara përurimit të tempullit të Sol Invictus-it nga perandori Aurelian në vitin 274 pas Krishtit.
Edhe teologë të tjerë të mëvonshëm përmendin lidhjen teologjike midis 25 marsit dhe 25 dhjetorit. Për shembull, Shën Augustini, në veprën e tij Mbi Trininë (De Trinitate, rreth viteve 399–419), shkruan:
“Sepse besohet se Ai u ngjiz më 25 mars, ditë në të cilën edhe vuajti; kështu që barku i Virgjëreshës, në të cilin Ai u ngjiz, ku asnjë i vdekshëm nuk ishte ngjizur, i përgjigjet varrit të ri në të cilin Ai u varros, ku kurrë nuk ishte vendosur njeri, as më parë e as më pas. Por Ai lindi, sipas traditës, më 25 dhjetor.”
Edhe në traditën e krishterë lindore ekzistonte një lidhje e drejtpërdrejtë midis datës së ngjizjes dhe asaj të vdekjes së Jezusit. Megjithatë, ndryshe nga Perëndimi, të krishterët e Lindjes nuk u orientuan nga 14 Nisani i kalendarit hebraik, por nga dita e 14-të e muajit të parë të pranverës (Artemisios) në kalendarin grek lokal, e cila përkonte me 6 prillin. Kjo datë bie pikërisht nëntë muaj përpara 6 janarit, ditë që në Kishën e Lindjes njihej si festa e Krishtlindjes.
Një dëshmi e hershme që mbështet këtë datim alternativ të vdekjes së Krishtit – dhe, si rrjedhojë, edhe të ngjizjes dhe lindjes së tij – gjendet te Epifani i Salaminës (310–403 pas Krishtit), peshkop i Salaminës, i cili shkruan se më 6 prill:
“Qengji u mbyll në barkun e pastër të Virgjëreshës së shenjtë, ai që mori dhe merr mbi vete, si flijim të përjetshëm, mëkatet e botës.”
Për ta përmbledhur, siç dëshmojnë burimet e hershme të krishtera, datimi i lindjes së Jezusit më 25 dhjetor u bazua në një kornizë teologjike dhe simbolike. Kjo kornizë mbështetej, nga njëra anë, në traditën rabinike sipas së cilës njerëzit e drejtë mendohej se ngjizeshin dhe vdisnin në të njëjtën datë kalendarike, dhe, nga ana tjetër, në identifikimin e Krishtit si “Drita e botës”, i lidhur me ritmet kozmike të krijimit, veçanërisht me ekuinokset dhe solsticet.
Në dritën e këtyre të dhënave, teza se Kisha e zgjodhi 25 dhjetorin për të zëvendësuar një festë pagane nuk gjen mbështetje në kronologjinë historike. Madje, disa studiues sugjerojnë se mund të ketë ndodhur e kundërta: që festa pagane të jetë vendosur në këtë datë pasi të krishterët kishin filluar tashmë ta kremtonin atë. Për shembull, historiani Thomas Talley argumenton se “është më e mundshme që perandori romak Aurelian ta ketë zhvendosur festën e Sol Invictus-it në datën 25 dhjetor për t’iu kundërvënë përhapjes në rritje të krishterimit.”
Kur lindi në të vërtetë Jezusi?
Studiuesit biblikë sot janë më të sigurt për vitin dhe periudhën kur mund të ketë lindur Jezusi sesa për datën specifike. Dy Ungjijtë që përshkruajnë lindjen e Tij (Mateu dhe Luka) e vendosin atë gjatë mbretërimit të Herodit të Madh në Jude. Duke qenë se Herodi vdiq rreth vitit 4 para Krishtit, sipas Flavius Josephus-it (Ant. 17.6.4; 17.8.1), vdekja e Herodit ndodhi pak pas një eklipsi hënor dhe pak para Pashkës. Duke e identifikuar këtë eklips me atë të 13 marsit të vitit 4 para Krishtit, shumica e studiuesve e datojnë vdekjen e Herodit në këtë vit.
Për këtë arsye, Jezusi duhet të ketë lindur pak para vitit 4 p.K., ndoshta midis viteve 6 dhe 4 p.K., pra disa vite përpara vitit tradicional të fillimit të kalendarit Anno Domini – një sistem i përllogaritur gabimisht nga Dionysius Exiguus në shekullin VI.
Edhe pse nuk dimë datën e saktë, Ungjijtë japin disa pista lidhur me stinën kur mund të ketë ndodhur lindja e Krishtit. Këto të dhëna kanë bërë që shumë studiues të mendojnë se Jezusi lindi gjatë pranverës ose vjeshtës, më tepër sesa në zemër të dimrit. Kjo mbështetet kryesisht në dy argumente.
Së pari, Luka 2:8 tregon se, në natën e lindjes së Jezusit, “ishin disa barinj që rrinin jashtë, në fusha, dhe natën ruanin kopenë e tyre.” (ALBB). Në Palestinën e shekullit të parë, tufat e deleve zakonisht kulloteshin jashtë gjatë muajve të ngrohtë (në pranverë, verë dhe në fillim të vjeshtës) kur bari ishte me bollëk, ndërsa gjatë dimrit mblidheshin pranë vathave, pasi dimri në Jude është stina e shirave të ftohtë. Prania e barinjve me kopetë jashtë gjatë natës sugjeron një periudhë me mot të butë, ndoshta pranverë ose vjeshtë.
Së dyti, Luka 2:1-4 përshkruan udhëtimin e Marisë dhe Jozefit nga Nazareti në Betlehem për regjistrimin e popullsisë sipas dekretit të Cezarit. Një udhëtim i tillë, rreth 150 kilometra, do të ishte veçanërisht i vështirë për një grua shtatzënë në mes të dimrit. Është më e arsyeshme të mendohet se autoritetet romake do ta organizonin regjistrimin në periudha më të favorshme për udhëtim, si pranvera ose vjeshta.
Për këto arsye, pranvera ose vjeshta paraqiten si stinët më të mundshme për lindjen e Jezusit. Ndërkohë, data 25 dhjetor u përzgjodh nga Kisha për arsye liturgjike dhe simbolike, dhe jo si një pretendim për të përcaktuar datën e saktë historike të kësaj ngjarjeje.
Në këtë kontekst, supozimet se Krishtlindja ka “zëvendësuar” festa pagane, si ajo e Diellit të Pamposhtur, nuk gjejnë mbështetje në burimet e hershme historike. Sido që të ketë qenë data reale kalendarike e lindjes së Jezusit, rëndësia e kësaj ngjarjeje për të krishterët nuk qëndron te përpikmëria kronologjike, por te kuptimi i saj teologjik: ardhja e Zotit në botë si njeri për shpëtimin e njerëzimit – një kuptim që mbetet i pandryshuar, pavarësisht nga data e vitit në të cilën kjo ngjarje përkujtohet.




















