Në konferencën e nivelit të lartë Global Alliance to Counter Migrant Smuggling të mbajtur në Bruksel, Kryeministrja italiane Giorgia Meloni përmes një videokonference theksoi rolin udhëheqës të Italisë në ndërtimin e zgjidhjeve të reja për menaxhimin e migracionit, zgjidhje që po marrin gjithnjë e më shumë mbështetje në Bashkimin Evropian.
Kryeministrja Meloni vuri në qendër të fjalës së saj, Protokollin e bashkëpunimit të nënshkruar me Shqipërinë, të cilin e cilësoi si një model inovativ dhe plotesisht funksional.
Shqipëria u përfaqësua nga Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, e cila bashkëdrejtoi seancën mbi alternativat ndaj migracionit të paligjshëm.
Sipas Kryeministres italiane, ky partneritet ka hapur rrugën për qasje të reja në nivel kontinental. Ajo theksoi se modeli i bashkëpunimit Shqipëri–Itali po shndërrohet në shembull praktik që po merret në konsideratë nga vendet anëtare të BE-së.
Këtë e konfirmon edhe marrëveshja e arritur së fundmi nga ministrat e Punëve të Brendshme të BE-së, e cila përfshin futjen e konceptit të vendeve të treta të sigurta, krijimin e një liste evropiane të vendeve të sigurta të origjinës, si dhe miratimin e Rregullores së re të Riatdhesimit.
Kjo rregullore, ndër të tjera, hap mundësinë për ngritjen e “Qendrave të Riatdhesimit” në vende të treta – një qasje që pasqyron drejtpërdrejt modelin e provuar tashmë me Shqipërinë.
Me këtë adresim në Bruksel, Meloni nënvizoi se koha e zgjidhjeve tradicionale ka kaluar dhe se menaxhimi modern i migracionit kërkon bashkëpunime të forta ndërkufitare, efikasitet procedurial dhe një arkitekturë të re sigurie, ku modeli Shqipëri–Itali shërben si gur themeli për orientimin e ri evropian.




















