Nga Endri Kajsiu/

Kosova na dha sërish një leksion të madh demokracie: 21 ditë fushatë, 1 ditë votim. Votimi u mbyll në orën 19:00 dhe rezultati në kohë reale u shpall rreth orës 22:00. Për vetëm tre orë, vullneti i popullit ishte i qartë dhe i pakontestuar. Albin Kurti shpalli fitoren dhe ftoi opozitën për bashkëpunim, ndërsa Lumir Abdixhiku i LDK-së doli në konferencë, pranoi humbjen me dinjitet, mori përgjegjësinë dhe njoftoi dorëheqjen.
Besoj se të njëjtën gjë do të bëjnë të gjitha partitë e tjera, sepse kur rezultati është i pastër dhe bindës, nuk ka vend për alibi.
Pse në Kosovë zgjedhjet janë festë dhe jo stres?
Përgjigjja është e thjeshtë:
• Besimi te sistemi: Partitë kanë besim te rregullat që kanë ndërtuar vetë.
• Administrim civil, jo politik: Votat numërohen aty ku hidhen, në qendrat e votimit, nga njerëz që zbatojnë ligjin dhe jo nga militantë që mbrojnë “të fortët”.
• Oferta, jo blerja: Partitë kërkojnë votën me program dhe ofertë politike, duke mos tentuar ta blejnë vullnetin e qytetarëve.
Pushteti në Kosovë ka një legjitimitet të pastër. Prandaj, të nesërmen qytetarët shkojnë në punë të qetë; ata e dinë kush qeveris dhe kush bën opozitë.
Pse në Shqipëri ndodh krejt e kundërta?
Në Shqipëri, burimi i pushtetit ndotet që në nisje. Administrimi është në duart e partive, fushata zgjat pafund dhe dita e votimit është e mbarsur me tension. Numërimi ynë është unik në botë për nga absurditeti:
• Votat grumbullohen në palestra e qendra të mëdha, në vend që të numërohen aty ku votohet.
• Procesi zgjat nga 3 deri në 10 ditë — një torturë e vërtetë ku numëruesit flenë mbi thasë, pa gjumë e pa bukë, ku kërset grushti për një votë të pavlefshme.
• KQZ-ja certifikon rezultatin pas muajsh, sepse humbësi kurrë nuk pranon rezultatin.
Zgjidhja është “Shqip-Shqip”
A mund t’i marrim standardet e Kosovës? Sigurisht që po! Nuk ka asgjë për të shpikur. Mjafton të shkruhet në Kodin Zgjedhor: 21 ditë fushatë, numëruesit nëpunës civilë me përgjegjësi penale dhe numërimi në vendin e votimit. Rezultati do të dilte për 2 orë.
Që të bëhet kjo, Damjan Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi duhet të bindin Edi Ramën dhe Sali Berishën. Por mesa duket, faturën e stërmundimit tonë na e kanë borxh pikërisht Damjani me Oerdin. Ata besojnë njëri-tjetrin, por duan që ne të mos besojmë asgjë. Duan që ne të rrimë pa gjumë e të kacafytemi nëpër palestra, që ata të mbushin raportet e OSCE-ODHIR dhe të justifikohen para shefave të tyre se “kanë bërë punë të madhe”.
Këtë radhë nuk do t’i lëmë të tallen. Komisioni ad hoc është ngritur dhe leksionet e Kosovës duhet të përkthehen në ligj, duan apo s’duan “të vjetrit” e politikës. Zgjedhjet janë ushtrim demokracie dhe jo luftë mes bandash.
Një kërkesë vëllazërore për Kosovën: Na dërgoni deputetët që kanë punuar me kodin tuaj zgjedhor! Ne jua japim falas Damjanin dhe Oerdin — nëse keni nevojë t’i ngatërroni punët tuaja për nja 20 vitet e ardhshme!
Urime Kosovë, dhe faleminderit që na lë pa fjalë me leksionet e tua!