Lideri i Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, ka shprehur publikisht mbështetjen e tij për deklaratat e Presidentit rus, Vladimir Putin, lidhur me gatishmërinë e Rusisë për t’u përballur ushtarakisht me Evropën në rast se kjo e fundit do të niste një konflikt.
Në një postim në kanalin e tij në Telegram, Kadyrov tha se forcat çeçene presin vetëm një sinjal nga Moska për t’u angazhuar menjëherë në luftë.
“Nuk do të ketë hezitim, Vladimir Vladimiroviç. Ne presim komandën tuaj. Çdo konflikt i tillë do të përfundonte shpejt dhe me vendosmëri, jo në favor të atyre që zgjedhin të fillojnë një luftë me Rusinë,” shkroi ai.
Reagimi i Kadyrovit erdhi pas fjalimit të Putinit në Forumin e Investimeve në Moskë, ku presidenti rus theksoi se Rusia “nuk po përgatitet të shkojë në luftë me Europën”, por se është “plotësisht e gatshme” të reagojë menjëherë nëse vendet europiane ndërmarrin hapa drejt një konflikti ushtarak.
Tonet e ashpra mes Moskës dhe disa kryeqyteteve europiane janë rritur në javët e fundit, ndërsa deklaratat e Kadyrovit vijnë si një demonstrim i radhës i mbështetjes së tij të pakushtëzuar ndaj Kremlinit.




















