Lirimi i hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme i paraprin zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”, i cili synon të kthejë ligjshmërinë në territor duke sjellë zhvillim për komunitetet.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale të tjera pamje nga ndërhyrjet për çmontimin e strukturave metalike të vendosura në shkelje të ligjit nga subjektet private.

“Hapësirat publike do të çlirohen të tëra, pa ndalim as përjashtim”, shkruan Rama në faqen zyrtare në Facebook.

Lirimi i hapësirave publike ka nisur si një aksion kombëtar që prej muajit korrik. Të gjithë bizneset apo lokalet që padrejtësisht kanë zaptuar hapësirat publike me rrethimet metalike, struktura prej xhami apo me karrige e tavolina, do të prishen.