Deputeti i PD Luçiano Boçi, duke folur për turin e nisur nga Ervin Salianji, theksoi që ambicia i gjallëron strukturat e partisë, nëse kanalizohet në rregulla institucionale. Boçi vuri në dukje se nuk ka një konflikt dhe ndarje në PD, sikurse ka interes të spinohet.

“Nëse një parti kërkon sukses duhet të ketë anëtarë, ambicioz, pozitiv. Kjo që po bën Salianji i shërben gjallërimit të strukturave nëse kanalizohet në rregulla institucionale, partiake.

Duhet mirëkuptuar, duhet parë si ambicie. Kush ka ndaluar kënd të kandidojë për pozicionet në PD?! Dua ta shoh pozitivisht.

Çdokush mund të synojë kryen, hajde ta bëjmë brenda rregullave, mos çorientojmë anëtarin. Oportunizmi e vdes partinë, mirë dhe shyqyr që ka ambicie. Ka interes të spinohet, të duket si konflikt, sikur po çahet PD-ja, dhe kjo më shqetëson”, tha ai për MCN.

Duke folur për foltoret në PD, Boçi tha:

“Ajo është një foltore dhe përqendrimi në një foltore janë kryesore mesazhet. Nuk jemi të përqendruar fare të çështja e pjesëmarrjes. Lajmërimet janë të zakonshme, s’janë organizime të strukturave të PD.

Pas disa foltoreve do organizohet një protestë dhe aty mund të diskutohet pastaj fryma, numrat. Reagimi qytetar s’është buton, por kërkon komunikim, pse jo edhe një lloj besimi, që vjen përmes takimeve në vazhdimësi. PD reagon, shyqyr që ka reagim”.