Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale ndaj deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha, duke përdorur tone ironike dhe kritike.
Manja i referohet një deklarate të bërë nga Berisha në foltore, ndërsa shprehet se përdorimi i emrit të tij nga kreu i PD-së vjen për shkak të mungesës së vëmendjes politike që Berisha ka aktualisht. Deputeti socialist mohon akuzat dhe i cilëson ato si shpifje, thashetheme dhe “përralla dimri”.
Postimi i plotë i Ulsi Manjës në rrjetet sociale:
“Sali, ktheje dhimbjen në forcë!
Më thanë që më kishe qarë hallin dje në foltoren tënde buzë trotuarit. 😂😂
Të mirëkuptoj, Sali: kur më shumë lajm bën emri im dhe ty s’të ngjit më fjala, ke leje ta përdorësh emrin tim sa herë të duash.
Për shpifje të rëndomta si kjo e ‘grushtave’, për përralla dimri, thashetheme pazari e kafenesh, për çfarëdo që t’i vijë mbarë moshës tënde!
Nëse emri im të ndihmon të bësh lajm më shumë se Ervin Salianji, përdore emrin tim, se si i thonë fjalës, një rrugë e dy punë: ti tretësh çdo ditë e më shumë politikisht, ndërsa mua më shtohen ndjekësit në politikë.”




















