Në një kohë që sulmet kibernetike janë kthyer në rrezik serioz Banka e Shqipërisë ka forcuar kriteret që duhet të zbatojnë institucionet financiare e bankare në vend.

Banka e Shqipërisë ka hartuar një rregullore të re “Për qëndrueshmërinë operacionale digjitale” ndërsa objektivi kryesor është përcaktimi i kërkesave të unifikuara në lidhje me sigurinë e rrjetit dhe sistemeve të informacionit.Sipas draftit institucionet financiare do të duhet të realizojnë një raportim të detyrueshëm për incidentet madhore. Në fokus është administrimi i rrezikut të teknologjisë së informacionit dhe raportimi për kërcënimet kibernetike të rëndësishme, në Bankën e Shqipërisë.

Subjektet financiare duhet të shkëmbejnë ndërmjet tyre, informacion për kërcënimet kibernetike, duke përfshirë treguesit e kompromentimit, taktikat, teknikat dhe procedurat, sinjalizimet e sigurisë kibernetike dhe mjetet e konfigurimi.
Një risi e rëndësishme e draftit është edhe futja e një metodologjie testimi e avancuar që simulon taktikat e hackerave dhe kërcënimit kibernetik.

Po ashtu institucionet më të mëdha dhe ato me rrezik më të lartë do t’u nënshtrohen testimeve të detajuara, do të përdorin ekipe të specializuara si edhe do të testojnë sistemet.
Kjo pritet të ndikojë edhe shpenzimet e bankave dhe institucionve financiare të cilat duhet të investojnë më shumë në rritjen në teknologji, dhe burime njerëzore.

Rregullorja e re pritet të hyjë në fuqi në 1 korrik 2027, por institucionet financiare që nga momenti i miratimit duhet të fillojnë të marrin masa për plotësimin e kërkesave të rregullores dhe të raportojnë në Bankën e Shqipërisë çdo 3 muaj.