Protesta e së hënës është paralajmëruar si protestë e dhunshme dhe afatgjatë. Nuk di pse PD e Berishës e ka marrë përsipër paraprakisht këtë zotim, por kam frikë se kjo është një nga ato gjëra që i bën mirë qeverisë në një nga orët e saj më të zeza, kur nuk e ka aq të lehtë ta kalojë me batuta përballjen e zyrtarëve më të lartë të shtetit me drejtësinë.
Në politikë disa parime janë të pandryshueshme kurrë. Kur i ke punët në vijë si opozitar dhe kur e ke vënë në vijë përballjen me qeverinë, nuk ke nevojë të tregosh as muskuj dhe as agresivitet.
Kush ngre tonet e larta të zërit thjesht s’ka fuqi. Kur fillon të jesh i sigurt për të marrë pushtetin s’ka nevojë të ulërasësh. (Nuk e kam për Lapajn.) Mjafton të shfaqesh ndryshe nga qeveria.
Këtë e ka bërë Berisha më 2005, ku pas protestave të marsit 2004 deri ditën që fitoi nuk bëri më asnjë protestë, madje e deklaroi këtë gjë. Ishte e qartë se kishte një plan për pushtet.
Të njëjtën gjë bëri Edi Rama pas 21 Janarit. Derisa erdhi në pushtet pas dy vite e gjysmë, nuk bëri më asnjë protestë, pasi e kishte shtruar rrugën për pushtet.
Në rastin konkret, kur qeveria është në ditët e saj të këqija me drejtësinë, por jo me elektoratin e saj, përpjekja për të marrë përsipër diçka që kam frikë se nuk ke fuqi ta bësh, është e vetmja aspirinë për qeverinë.
Nuk di sa të vërteta janë ato financimet për protestat kundër Veliajt nga opozita, por ky është rasti që këta të qeverisë, nëse s’kanë ndonjë lek, duhet t’ia çojnë Berishës, por pa përdorur SMS.
I vetmi lehtësim për pushtetin në këto kohë është ta bësh situatën sa më politike dhe t’i diferencosh njerëzit nëse janë me Ramën apo Berishën, duke eliminuar me forcë aktorët e tjerë.
E vetmja mënyrë që qeveria të ndihet e sigurt është t’i vësh ata në qoshe e t’u thuash: tani do t’ua marrim pushtetin me dhunë. Përveçse nuk e bën dot, mobilizon çdo energji të pushtetit për t’u bërë gardh ndaj një fenomeni që vetë socialistët nuk kanë dhe aq dëshirë të bëhen badigardë të historive korruptive.
Zhdukja e ngjyrave brenda pushtetit dhe brenda opozitës është e vetmja mënyrë që beteja të bëhet bardh e zi mes Berishës, që turfullon si kau plak i tredhur, dhe Ramës, që mezi e pret ta shikojë atë si aktor të vetëm para godinës së tij.
Është nga ato raste kur opozita e Berishës, më shumë sesa të rrëzojë Ramën, përpiqet ta shfrytëzojë këtë situatë për të eliminuar aktorët e tjerë opozitarë brenda PD-së e jashtë saj.
Në një farë mënyre mund t’ia arrijë, por jo duke rrëzuar Ramën. Thjesht çdo i mërzitur me Ramën dhe qeverisjen e tij do ta bëjë përsëri me Ramën, dhe çdo i mërzitur me Berishën do të largohet edhe më shumë nga Berisha, duke prodhuar më shumë dëshpërim sesa shpresë./Tema




















