U gëzova që më në fund Partia Demokratike kërkoi që seanca e Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen Balluku të jetë e hapur. Këtu nuk është vetëm çështje e transparencës por dhe çështje e ballafaqimit të nivelit të gjyqtarëve dhe prokurorëve me opinionin publik.

Kjo praktikë duhet të shtrihet domosdo dhe në gjykatën speciale kundër krimit dhe korrupsionit, së paku në çështjet kundër korrupsionit, ku nuk ka gjëra sensitive siç mund të jenë në seancat kundër vrasësve me pagesë.

Kjo ka shumë rëndësi që opinioni publik të edukohet jo vetëm me ligjet por edhe me qetësinë me të cilën ata që gjykojnë shkelësit e ligjit shkelin vetë me të dy këmbët ligjet që garantojnë liritë themelore të njeriut.

Seanca e sotme në GJKKO kundër Erion Veliajt, nëse do të ishte e hapur dhe do të transmetohej në publik, mund të rrënonte jo vetëm autoritetin e gjyqtarëve por gjithë reformës në drejtësi.

Problemi i parë ishte etik dhe psikologjik, pasi Veliajn e mbajnë në sallën e gjyqit në një kafaz, a thua se ai është nën akuzë për vrasje dhe atentate dhe është i rrezikshëm të lihet i lirë në sallë me një polic në krah siç ishte në Gjykatën Kushtetuese. Në gjykatën më të lartë të vendit, Gjykatën Kushtetuese, ishte i lirë dhe pa kafaz hekuri apo xhami, kurse në Gjykatën e shkallës së parë trajtohet sikur të jetë Zani Caushi.

Kjo duket që është porosi e prokurorit të çështjes për të vazhduar t’i tregojë atij hakmarrjen personale, por gjyqtarët në çdo vend të botës janë pikërisht për të ndalur këto shëmtira dhe për të vendosur një standard të gjykimit të qytetarëve. Nëse janë aty për t’i lënë si pre të linçimeve për hakmarrje personale apo politike, atëherë nuk janë gjykata, por shërbëtorë të epsheve politike dhe personale të prokurorëve.

Përveç kësaj, kjo skenografi poshtëruese kërkon të përcjellë një mesazh në gjyqin popullor ndaj tij, që është aq i rrezikshëm sa po e mbajmë në kafaz-një taktikë bajate që vjen më shumë nga dëshpërimi i prokurorëve që nuk gjejnë dot fakte sesa nga ndonjë procedurë që e trajton një kryetar bashkie në detyrë si vrasës. E gjithë kjo pasi publikut i ekspozohet vetëm një i akuzuar në kafaz që flet pa zë dhe duket sikur nuk ka çfarë të thotë.

Po ta transmetosh atë seancë në TV ashtu siç është, po të dëgjosh argumentet e atij që mbahet mbyllur në kafaz dhe gjyqtarit shurdhmemec, që bën vetëm gjeste për të treguar se nuk është duke dëgjuar kur ti flet, e kupton qartë ku e kemi katandisur drejtësinë.

Pastaj vjen kërkesa e dytë e Veliajt, ajo e nevojës që ai të njihet me akuzën fizikisht, pra t’i çohet ose në letër ose në një kompjuter për ta lexuar. Është një kërkesë jetike dhe themelore për një të akuzuar. Nuk ka të bëjë as me dëshirën e prokurorit apo gjyqtarit, as me pafuqinë e tyre për ta përmbajtur demonstrimin e urrejtjes ndaj një të akuzuari. Ky mund të jetë nga rastet e veçanta në botë, ku dy prokurorë dhe gjyqtari janë gati edhe ta vrasin të akuzuarin para se të mbarojë procesi vetëm që ata të mos quhen të dështuar.

Nëse ti e transmeton këtë seancë në TV live dhe njerëzit shikojnë se i akuzuari prej 9 muajsh nuk lejohet të lexojë akuzën që të kuptojë pse e akuzojnë, natyrisht krijon mendim tjetër për të akuzuarin dhe për gjyqtarin dhe prokurorët e tij. Nëse duan gjyqe popullore, ky është gjyqi i vërtetë popullor.

Gjyqe popullore me dizinformacion të rrjedhur nga sekreti hetimor, me shpikje që nuk janë as në dosje dhe hedhen si ushqim për qen në portale që të denigrojnë të akuzuarit, është kollaj të bësh derisa nuk ka zbatim ligji që t’i dënojë. Nëse duan gjyq popullor le të hapen seancat gjyqësore dhe të shikohet kush janë ata që akuzojnë dhe kush janë të akuzuarit.

Tani problemi është konkret: Erion Veliaj ka 9 muaj i paraburgosur pa u ngritur akuza dhe tani që ka një akuzë, atij nuk ia mundësojnë ta lexojë. Nuk ia mundësojnë me vetëdije.
Altin Dumani, kur u pyet për këtë çështje në parlament, tha se kompjuterët lejohen në burg dhe duhet t’i vihen në dispozicion të padënuarit. Ishte një gënjeshtër për të larë gojën pa pikë turpi.

Ndërkohë, Drejtoria e Burgjeve, e cila ka konsoliduar një traditë korrupsioni nën udhëheqjen e Ulsi Manjës, lejon telefona për kriminelë me nga 1500 euro në muaj nën dorë, lejon prostituta dhe orgji në burgje, por nuk lejon USB apo disk për të lexuar akuzën në burgje.
Pra e gjithë është një ping-pong. Dumani thotë lejohet kompjuteri, Ulsiu dhe pasardhësit e tij në burgje thonë nuk lejohet USB. Praktikisht, nëse Veliaj kapet duke lexuar akuzën me USB në burg, dënohet se ka USB, jo se ka kompjuter.

Ky qelbësirllëk i bandës së drejtësisë bëhet më i ndyrë kur ti këtë hall ia tregon GJKKO-së dhe ajo hesht duke e hedhur poshtë kërkesën dhe duke mos i dhënë asnjë zgjidhje.

Sot GJKKO nuk është se hodhi poshtë kërkesën e Veliajt, por nuk i dha zgjidhje çështjes se si një i burgosur ndaj të cilit thuhet se ka 60 mijë faqe materiale që mbështesin akuzën duhet t’i lexojë ato. Ose do t’ia çosh të printuara, ose do t’ia çosh në një kompjuter me USB të skanuara. Gjykata nuk jep asnjë zgjidhje, thjesht thotë “kërkesa juaj nuk pranohet”.

Tani çfarë duhet të bëjë një i akuzuar në këto kushte? Kush duhet t’i zgjidhë atij hallin për kërkesat që ka? Prokurorët e urrejnë, gjyqtari ka frikë prokurorin dhe nuk i jep zgjidhje. Atëherë si do ta lexojë ky akuzën?

Nëse ndjek lajmet e raportuara nga gjykata, as e kupton fare këtë dramë. Në shumicën e lajmeve janë gjërat e porositura nga prokurorët dhe gjyqtari shërbëtor i tyre dhe askush nuk ngre çështjen se çfarë ka kërkuar i akuzuari dhe si do njihet me akuzën.

Ndaj një zgjidhje efikase kundër denigrimit të atyre që akuzohen me gjyqe popullore është hapja e seancave gjyqësore për transmetim live. Nëse duan gjyqe popullore, le t’i bëjnë popullore. Dhe Bedri Spahiu kështu i dënonte armiqtë pas 1945 në Kinema “Kosova”. Populli e ndiqte nga jashtë me altoparlant.

Puna është se këta nuk i vijnë as tek thembra Bedri Spahiut në kriminalitetin e vet. Këta, nëse hapin gjyqet, i zë populli me gurë rrugës si të paaftë dhe linçues.
Kjo duhet të bëhet dhe për gjyqin e Sali Berishës, Ilir Metës dhe kujtdo politikani apo zyrtari akuzuar për korrupsion. Ata janë të votuarit e kësaj shoqërie dhe duhet të ballafaqohen me mbështetësit e vet për akuzat që kanë.
Mbyllja e gjyqeve dhe dizinformimi përmes “gazetarëve të SPAK”, është një krim më vete ndaj lirisë së informimit. Nuk po them pastaj për atë listën e zezë të gazetarëve që thuhet se ka hartuar Dumani, se e kemi ende të pakonfirmuar, por edhe të papërgënjeshtruar.

Ndaj mos prisni që ata ta pranojnë këtë kërkesë. Meqë PD ka kërkuar që kjo gjë të bëhet në Gjykatë Kushtetuese, le të bëhet bashkë me PS-në e të shkojnë në Kuvend të miratojnë dispozitë speciale për transparencën e gjyqeve kundër korrupsionit. Pastaj të shikojmë se ç’do të thotë gjyq popullor nga prokurorët dhe ç’do të thotë të jesh “popullor” si prokuror.