Pas Erion Veliajt edhe Ilir Meta ka bërë kërkesë në GJKKO që të mos mbahet në kafaz hekuri në sallën e gjyqit. Përmes kërkesës së dorëzuar nga avokati i tij Kujtim Cakrani, Meta e cilëson diskriminuese mbajtjen e tij në gjyq në kafaz hekuri.
Gjykata e Lartë ka marrë të enjten dhe ka rrëzuar rekursin e presidentit të Lirisë. Gjykata e Lartë nuk pranoi rekursin e Metës i cili kërkon lirimin nga qelia duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin.
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor të vitit 2024. Meta dhe deputetja, Monika Kryemadhi dyshohen se në bashkëpunim dhe me funksionarë të tjerë shtetërorë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore e politike.
Sipas akuzave dyshohet se ata kanë favorizuar kompani private si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t’i fshehin.
Meta akuzohet për veprat penale “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”. SPAK ka mbyllur hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit.




















