Christian Pulisic ka marrë një fitore të artë për Milanin, teksa shënoi dopietë në fitoren dramatike 3-2 ndaj Torinos, duke përmbysur disavantazhin 2-0 dhe duke rikthyer kuqezinjtë në krye të Serie A. Me këtë sukses, Milan zgjat në 13 ndeshje serinë e pamposhtur në kampionat.

Trajneri Massimiliano Allegri e ndoqi sfidën nga tribunat për shkak të pezullimit, dhe ajo që pa në minutat e para nuk ishte aspak e këndshme. Fikayo Tomori shkaktoi penallti pas një prekjeje me dorë ndaj Ché Adams, ndërsa Nikola Vlašić shënoi në minutën e 10-të, pavarësisht se Mike Maignan arriti të prekte topin.

Vetëm shtatë minuta më vonë, Torino dyfishoi avantazhin me Duván Zapata, i cili goditi fuqishëm dhe kaloi gardianin francez. Milan reagoi falë një supergoli të Adrien Rabiot në minutën e 24-t, duke rikthyer shpresën.

Pjesa e dytë nisi me presion të kuqezinjve dhe në minutën e 67-të, sapo hyri në fushë, Pulisic barazoi rezultatin me prekin e tij të parë. Amerikanit i mjaftuan vetëm dhjetë minuta për të kompletuar përmbysjen, duke shënuar golin e tij të dytë pas një krosimi perfekt të Ricci-t.