Në Tiranë u zhvillua sot takimi i dytë dypalësh mes Shqipërisë dhe Komitetit Evropian të Rajoneve (CoR), (i pari që ndodh në Tiranë), një ngjarje historike që shënon fillimin e një forme të re dhe të qëndrueshme dialogu mbi çështjet e qeverisjes vendore dhe integrimit europian.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, theksoi rëndësinë e krijimit të Komitetit të Përbashkët si një mekanizëm i ri bashkëpunimi mes autoriteteve vendore të Shqipërisë dhe institucioneve të Bashkimit Evropian.

“Krijimi i këtij Komiteti të Përbashkët është një sinjal i qartë i vullnetit të përbashkët: i BE-së për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e integrimit dhe i vendit tonë për të përshpejtuar përgatitjet drejt anëtarësimit,” u shpreh ai.

Demo tha se Shqipëria ka fituar përvojë të konsiderueshme në aplikimin për fondet e BE-së, por synimi për t’u bërë pjesë e politikave të Kohezionit kërkon një nivel më të lartë kapacitetesh njerëzore dhe financiare në bashki.

“Bashkitë tona kanë avancuar ndjeshëm në thithjen e fondeve të BE-së, por integrimi i plotë në projektet e Kohezionit kërkon kapacitete më të forta dhe financa të qëndrueshme,” tha ai, duke nënvizuar edhe angazhimin e qeverisë për këtë vit, duke miratuar buxhetin më të lartë ndonjëherë për pushtetin vendor, një sinjal i qartë për forcimin e rolit të bashkive në ofrimin e shërbimeve publike dhe në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm lokal.

Hapja e negociatave për Kapitullin 22 që Politikën e Kohezionit, i jep Shqipërisë një udhërrëfyes të qartë për përgatitjen e pushtetit vendor drejt standardeve të BE-së. Kjo nënkupton reforma të thelluara, rritje të kapaciteteve teknike dhe më shumë përgjegjësi financiare në nivel lokal.