Asnjë lëvizje përpara zgjedhjeve, aq më pak me sistemin e drejtësisë, atje ku VV ka ende çështje të hapura. Ministrja në detyre e Infrastrukturës, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk u paraqit në seancën e kësaj të mërkure në Gjykaten Themelore të Prishtinës.
Rozeta Hajdari është pjesë e procesit për abuzim me rezevat shteterore. Për shkak të mungesës, Gjyqtari Avni Syla tha se seanca për shqyrtimin fillestar nuk ka kushte të mbahet.
Seanca u shty për datën 13 janar në ora 9:30.
Ministrja Hajdari, ish-zëvendëssekretari i ministrisë, Irfan Lipovica, si dhe drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore, Hafiz Gara, akuzohen për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Ndërsa, biznesmeni Ridvan Muharremi akuzohet për kryerjen e veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Bazuar në akuzen e prokurorise, të pandehurit Rozeta Hajdari, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, duke iu shmangur procesit të konkurrencës, kishin negociuar dhe më pas nënshkruar kontratën me një kompani turke me seli në Bursa të Turqisë, për blerjen e 10 mijë tonë grurë me çmim prej 4,834,778.00 euro.
Aty thuhet se çmimi për blerje të grurit ishte kontraktuar me 193.48 euro më shumë sesa çmimi mesatar i tregut.
Po të njejtët kanë negociuar dhe nënshkruar kontratë edhe me kompaninë “Xanto” me seli në Gdynia të Polonisë për blerjen e 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer. Mirëpo, përkundër pagesës së kryer, malli nuk kishte mbërritur asnjëherë në Kosovë.
Për këtë rast në prokurori është thirrur edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, por ky i fundit ka qenë i zënë me kalkulime politike, qe e çuan vendin sërish në zgjedhje…




















