Rusia ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të shefit më të lartë ushtarak të NATO-s, admiralit Giuseppe Cavo Dragone, i cili në një intervistë për Financial Times u shpreh se aleanca mund të marrë në konsideratë një “sulm parandalues” si pjesë e përgjigjes ndaj luftës hibride të Moskës. Sipas tij, një veprim i tillë mund të konsiderohet si “mbrojtës”.
Këtë të hënë, Ministria e Jashtme e Rusisë, përmes zëdhënëses Maria Zakharova, i cilësoi këto deklarata si “jashtëzakonisht të papërgjegjshme” dhe një shenjë se NATO po shtyn drejt përshkallëzimit të mëtejshëm. Zakharova u shpreh se deklarata të tilla “përbëjnë një përpjekje të qëllimshme për të minuar përpjekjet për zgjidhjen e krizës ukrainase”.
Zakharova po ashtu paralajmëroi se personat që bëjnë deklarime të tilla duhet të jenë të vetëdijshëm për rreziqet dhe pasojat e mundshme, përfshirë ato që mund t’u vijnë vetë vendeve anëtare të aleancës.




















