Prej 7 vitesh, Rafaela nuk e ka takuar dot familjen sepse mungesa e dokumenteve nuk e ka lejuar të kthehet në Shqipëri. Ndërkohë, ka një vit që nuk e sheh nënën e saj, Marten, as nëpërmjet videotelefonatave dhe malli i është shumëfishuar.

Më në fund, ajo ia ka dalë të marrë lejeqëndrimin dhe gjëja e parë që bëri është ardhja në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan për të surprizuar nënën, Marten. Kur Rafaela e sheh fillimisht në mesazhin që e njofton për ftesën, nuk i përmban dot lotët.

Rafaela: Sa ka ndryshuar!

Ardit Gjebrea: Për çfarë ka ndryshuar?

Rafaela: Po prapë është si yll!

Ardit Gjebrea: Lëre, ajo buzëqeshja, ajo mirësia, e transmetonte menjëherë! Por kur thua sa ka ndryshuar, në ç’këndvështrim?

Rafaela: Është plakur, vite.

Nëna e ka pranuar ftesën dhe duket se zemra ia thotë se pas ekranit ndodhet vajza që s’e ka parë për 7 vite. Pritja e saj bëhet edhe më e ankthshme sepse surpriza nuk i zbulohet menjëherë, por shfaqet fillimisht një video ku Rafaela i shpreh mallin e dashurinë.

Rafaela: Mami im! Në pamundësi për të ardhur deri ëm tani, unë po të bëj këtë videomesazh ku do të doja një përshëndetje shumë, shumë të madhe, më ka marrë shumë malli, kemi 7 vite pa u parë fare bashkë dhe shpresoj që ky vit është viti i fundit e të kthehem në gjirin tuaj ku mund të bëjmë festa të gëzuara si gjithmonë dhe siç i kemi bërë më përpara. Të përshëndes, të dua shumë, më mungon shumë, je gjithçka për mua dhe shpresoj shumë, shumë, shumë që sa më shpejt të takohemi dhe të jemi bashkë. Të dua!

Ardit Gjebrea shkon në anën tjetër të murit për të marrë Rafaelën dhe për ta çuar te e shtrenjta e saj, teksa nënë e bijë ngashërehen në lot. Pas 7 vitesh të gjata pritjeje, ato gjenden në krahët e njëra-tjetrës.