Ervin Salianji, Ilir Alimehmeti dhe të tjerë kanë një arsye për të nisur një “Foltoren 2”, duke qenë se besojnë që PD-ja është futur në ngërç, se zëri i demokratëve nuk është dëgjuar apo se partia ka nevojë për rifreskim dhe riformatim. Në thelb, ky është argumenti i tyre, qoftë apo jo bindës.

Por, ndërsa sheh Berishën që fill pas paralajmërimit të tyre, ka nisur dhe bën një foltore tjetër, pyetja që shtrohet është: Kujt kërkon t’ia marrë PD-në?

Sepse menjëherë pas daljes në skenë të ‘grupit të kafesë’, ai filloi papritur të flasë për gabime që janë bërë me listat, se demokratët duhet të vendosin etj.

Por a nuk ishin këto pikërisht fjalimet që ai vetë i artikuloi kur nisi Foltoren e parë për të rimarrë PD-në nga Lulzim Basha, i cili, sipas tij, në atë kohë e kishte monopolizuar partinë dhe nuk kishte pyetur për bazën dhe për demokratët?

Ripërtëritja e të njëjtës retorikë, premtimeve dhe argumente, duket sikur Berisha po përpiqet t’i marrë PD-në…vetes.

Vetëm nëse do të pranojmë këtë, ka një ‘arsye’ për ta nisur këtë tur takimesh.

Pra, Berisha i Foltores dy kërkon t’i marrë partinë dhe PD-në Berishës së Foltores një në mënyrë që në Foltoren tre të realizojë ato që premtoi në Foltorene e parë dhe nuk i realizoi dot as në të dytën.