Nga Millosh Rudoviq, REL
Kudo që ekziston hapësirë për destabilizim, Rusia do ta shfrytëzojë atë, vlerësoi për Radion Evropa e Lirë analisti i Qendrës së Forenzikës Digjitale të Malit të Zi (DFC), Drashko Jabuçanin.
“Ballkani Perëndimor dhe Moldavia në strategjinë ruse të destabilizimit shërbejnë të njëjtit qëllim: t’i tregojnë Perëndimit se levat e pushtetit dhe ndikimit janë ende në duart e Kremlinit, pavarësisht sanksioneve dhe izolimit politik”, theksoi Jabuçanin.
Rusia ndodhet që pothuajse katër vjet nën sanksione, pasi nisi pushtimin e Ukrainës fqinje.
Pavarësisht se cili shtet ka qenë në shënjestër gjatë dhjetë vjetëve të fundit, Moska, sipas tij, përdor të njëjtat metoda për të ndikuar mbi proceset demokratike, para së gjithash përmes dezinformatave, organizatave fetare dhe shërbimeve sekrete.
Nga Ambasada e Rusisë nuk i janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse qëllimi i tyre është dobësimi i kursit proevropian të Malit të Zi, komprometimi i institucioneve dhe krijimi i një atmosfere të paqëndrueshmërisë politike.
Ambasadori i Rusisë së fundmi ka akuzuar autoritetet për armiqësi ndaj Moskës.
Në Moldavi, në shtator të vitit 2025 u mbajtën zgjedhjet parlamentare, të cilat u panë si vendim kyç i këtij shteti të Evropës Lindore për të zgjedhur mes Brukselit dhe Moskës.
Një javë para zgjedhjeve, autoritetet moldaviane arrestuan dhjetëra persona nën dyshimin për përgatitjen e trazirave masive. Shumica e tyre rezultoi se ishin trajnuar në Serbi.
Hetimi tregoi se shërbimet ruse të sigurisë kishin organizuar në Serbi një kamp për trajnim special të shtetasve moldavianë dhe rumunë, nën pretekstin e një pelegrinazhi fetar.
Instruktorët i kishin mësuar ata me taktika për trazira në rrugë, thyerje të kordonëve policorë dhe përdorim të armëve.
“Qëllimi kryesor i operacionit rus të para-inteligjencës ishte nxitja e rrëmujës dhe trazirave në rast të fitores së shumicës proevropiane në zgjedhjet në Moldavi”.
Fitore bindëse në këto zgjedhje shënoi partia proevropiane e presidentes, Maia Sandu.
Këto zgjedhje në DFC janë krahasuar me tentativën për “grusht shteti” në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016 në Mal të Zi.
Taktikat e protestave të dhunshme dhe mjetet speciale të planifikuara në Moldavi janë identike me ato të përfshira në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Malit të Zi në rastin e njohur si grusht shteti i vitit 2016, theksoi DFC-ja.
Të pandehurit kishin synuar që në ditën e zgjedhjeve parlamentare të shkaktonin trazira, përplasje me policinë dhe të pengonin anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.
Për organizimin dhe financimin e operacionit janë akuzuar agjentët rusë Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov.




















