Nga Roland Lami
Shqipëria po hyn në një fazë ku balanca mes pushteteve është më e brishtë se kurrë, dhe Gjykata Kushtetuese, institucioni që duhej të garantojë stabilitetin kushtetues po prodhon vendime që ngjallin më shumë dyshime sesa siguri. Dy çështjet e fundit, detyrimi për t’u paraqitur për një deputet pa autorizimin e Kuvendit rasti Berisha dhe vendimi nesër siç përflitet jo pak për të lënë në fuqi vendimin e GJKKO, pra pezullimin nga detyra të një zëvendëskryeministreje, përforcojnë idenë se drejtësia po merr një rol që shkon përtej kufijve të Kushtetutës, duke krijuar një pushtet të ri në hije, ajo e drejtësisë që ndërhyn në politikë dhe procedura penale që determinojnë ekzekutivin.
Neni 73 i Kushtetutës është i qartë në rastin e Berishës që një deputeti nuk mund t’i hiqet liria “në çfarëdo lloj forme” pa autorizim të Kuvendit. Ky është një nga mburojat më të forta kundër abuzimit të pushtetit gjyqësor ndaj legjistativit. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese vendosi se masa “detyrim paraqitje” nuk përbën heqje lirie. Në këtë mënyrë, krijoi një normë të re që i jep Prokurorisë dhe GJKKO-së mundësinë të vendosin kufizime ndaj deputetëve pa pëlqimin e Parlamentit, duke relativizuar tekstin kushtetues në një çështje ku Kushtetuta nuk lë asnjë hapësirë interpretimi. Ky precedent nuk është thjesht teknik. Ai i jep pushtetit gjyqësor një rol që Kushtetuta ia ka mohuar pikërisht për të ruajtur ekuilibrin politik.
Po kaq shqetësues është rasti i dytë, mundësia siç qarkullojnë jo pak zëra të lënies në fuq nga ana Gjykatës Kushtetuese nrsër të vendimit të GJKKO, ai i pezullimit të një zëvendëskryeministreje dhe të zgjedhur njëkohësisht.
Në leximet e mija modeste në mungesë të opinioneve të konstitucionalistëve që në raste të tilla flen gjumë ose struken diku, ndërhyrja nga gjykata në përbërjen e kabinetit është ndërhyrje në ekzekutiv dhe cënon parimin themelor të ndarjes së pushteteve. Në çdo demokraci funksionale, ky do të konsiderohej një tejkalim i hapur kompetencash. Në Shqipëri, jo vetëm që nuk konsiderohet si i tillë, por shikohet si precedent për t’u përshendetur madje meren dhe raste nga vende të tjera që në fakt janë më së shumti jashtë konteksti ose së paku fake news. Disa të tjerë mendojnë se ç’rëndësi ka çthotë kushtetuta sepse këto vendime janë një çmim i pranueshëm që duhet paguar edhe në kurriz të kushtetutës në luftën kundër korrupsionit.
Por siç kanë paralajmëruar prej kohësh jo pak filozofë të së drejtës, “qëllimi i mirë” është justifikimi më i rrezikshëm për të abuzuar me normën juridike. Gustav Radbruch, filozofi i drejtësisë që analizoi shembjen e shtetit ligjor në shekullin XX, shkruante: “Ligji që mohon drejtësinë nuk është më ligj. Kur ai përdoret për qëllime politike, humbet autoritetin.” Edhe Ronald Dworkin theksonte se kur shtetet thyejnë standardet procedurale në emër të së mirës së përgjithshme, ato thjesht maskojnë arbitraritetin si drejtësi.
Këto paralajmërime duken sot më aktuale se kurrë. Lufta kundër korrupsionit nuk mund të ketë si armë shkeljen e Kushtetutës, sepse atëherë shteti ligjor kthehet në instrument të rrezikshëm të politikës penale.Në këtë dinamikë luan rol jo të vogël presioni ndërkombëtar, i cili si inisiator dhe financues i reformës në drejtësi kërkon në jo pak raste “suksese”, duam shifra, duan prova se reforma po funksionon. Por kjo trysni i shtyn shpesh institucionet shqiptare të ndërmarrin veprime që krijojnë iluzionin e progresit, duke e shtyrë Kushtetutën në plan të dytë. Siç paralajmëron Michel Troper, një nga konstitucionalistët më të rëndësishëm europianë, “Asnjë luftë, as kundër terrorizmit, as kundër korrupsionit nuk e justifikon shpërfytyrimin e Kushtetutës, sepse Kushtetuta është mbrojtja jonë kundër shtetit, jo mbulesë e veprimeve të tij.”
Në Shqipëri po krijohet një trekëndësh i ri fuqie mes SPAK-ut, GJKKO-së dhe gjykatave të nivelit të lartë, një konfigurim që i jep pushtetit gjyqësor kompetenca që nuk i ka të shkruara në Kushtetutë. Ndërsa ekzekutivi dhe legjislativi kufizohen, drejtësia penale zgjerohet në zona që nuk i takojnë. Ky raport i ri forcash prodhon jo vetëm pasiguri juridike, por edhe perceptimin e një drejtësie që funksionon në varësi të dinamikave politike, diplomatike apo të presioneve të momentit. Një demokraci nuk mbahet nga drejtësia që fiton betejat e ditës, por nga institucionet që mbrojnë rregullat e lojës.Montesquieu, babai i ndarjes së pushteteve, paralajmëronte se “çdo pushtet që nuk frenon veten, e thyen tjetrin.”
Sot në Shqipëri, ky parim po shkelet haptazi. Një gjykatë që i jep vetes kompetenca të reja prek thelbin e republikës. Dhe nëse Kushtetuta fillon të trajtohet si dokument fleksibël, i përshtatshëm për të mbuluar vendime të forta politike apo penale, atëherë ajo humbet fuqinë e saj mbrojtëse.
Lufta kundër korrupsionit është e drejtë. Por nuk ka drejtësi të drejtë që lind nga mjete të padrejta. Republika e ka të lehtë të thotë “po” për çdo masë ekstreme sot, e pamundura është ta mbajë veten nesër. Për këtë arsye, pyetja e vërtetë nuk është nëse vendimet e fundit janë apo jo efektive. Pyetja është nëse ato janë kushtetuese. Sepse Republika që fiton një betejë duke humbur Kushtetutën, në fakt ka humbur gjithçka. Mbetet për tu parë nëse Gjykata Kushtetuese do e krijoj precedentin e dytë apo do respektoj frymen e kushtetues.




















