I ftuar në “Ora e fundit” në ABC News, gazetari Ardit Rada komentoi 35-vjetorin e lëvizjes studentore që përmbysi regjimin komunist. Ai tha se edhe sot mbeten shumë pikëpyetje se kush e organizoi lëvizjen dhe dyshimet kryesore bien mbi rolin e Sali Berishës. Rada shtoi se ky i fundit është prezent në politikë po aq saç ishte Enver Hoxha madje ka ndjekur modelin e këtij të fundit sa i përket bashkëpunëtorëve.
“Lëvizja studentore mbetet ende një mister se kush e organizoi dhe si u drejtua. Të gjithë e dimë që studentë në Tiranë vinin veç familjet e komunistëve, por sot kjo mund të duket pa rëndësi. Ajo që prodhoi 8 dhjetori i 1990 është ajo që po përjeton sot PD. Po t’i referohemi retorikës së PD që deri në 1947 këtu qeverisën jugosllavët dhe se Enver Hoxha vdiq mendërisht në 1982, i bie që Sali Berisha ka qenë në politikë fiks sa Enveri, 35 vite. Madje edhe fatin historik e ka njësoj. Shiheni sot a ka ndonjë bashkëthemelues të lëvizjes apo të PD-së në krah?” – tha Rada.
Duke komentuar lëvizjet e fundit të Ervin Salianjit, Rada shtoi për “Ora e fundit” se foltorja e tij nuk bëhet për kreun e PD.
“E kam thënë në një shkrim pak ditë më parë dhe prezenca sot e Salianjit në mitingun e Berishës e përforcon shkrimin. Salianji nuk po bën Foltore për t’i marrë vendin Sali Berishës, sepse ai është një vend që as me dhunë e as më votë nuk kapet. Salianji si ish i burgosur dhe i gjendur pa një post serioz në PD po e bën të gjithën për vendin e dytë në selinë blu. Për vendin e Gazment Bardhit ose ndonjë tjetri, kjo mbetet për t’u parë. Qëllimi i tij është t’i tregojë Berishës forcën në terren dhe të ngrejë pazarin” – tha gazetari Ardit Rada.
I pyetur për garën për Avokat të Popullit ai tha se PD po tallet me kandidatët dhe me procesin.
“Tani ky muhabeti që të dhamë firmat, por do t’i tërheqim është si ajo kënga “Unë të desha dhe gabova”. Kjo sjellje nuk i bën nder PD-së sepse tregon mungesë vlerash dhe mungesë respekti për institucionet. Edhe vete kandidatët që ka propozuar gjer tani janë plot me precedentë. Dikush është nën hetim për ndërtim pa leje, një tjetër për falsifikim diplome. Një tjetër akuzohet si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit Kjo kandidatja e fundit që u propozua doli që ka burrin në burg për falsifikim pronash. Kaq e pamundur është të gjejë PD një kandidat që të jetë vërtetë i popullit dhe jo i Berishës? Të mos llogarisim talljen që i ka bërë prej tre vitesh kësaj gare, ku herë propozon Brahon, herë Ndregjonin, pastaj nuk shkon në votim” – tha Rada për “Ora e fundit” të Emilian Islamit.




















