Nga Veton Surroi
1.
Hapësira publike në Kosovë vërshoi me reagime pozitive pas nënshkrimit të NDAA 2026 (Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare) nga presidenti Trump. Reagimet u përqendruan tek insistimi që normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetësohet me njohjen e ndërsjellë të të dy shteteve dhe se në këtë rrugëtim nuk do të tolerohen “këmbim territoresh, ndarje ose forma të tjera të rivizatimit të kufijve përgjatë vijave etnike në Ballkanin Perëndimor”
Por, NDAA është shumë më tepër se kaq dhe kjo është me rëndësi si për opinionin publik, ashtu edhe për qeverinë e ardhshme të Kosovës, qeveritë e pesë shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor si dhe EEAS-Komisionin Evropian: Kongresi amerikan votoi e presidenti Trump nënshkroi një ligj i cili do të përcaktojë politikën e jashtme amerikane karshi Ballkanit perëndimor për së paku tetë vjetët e ardhshëm. NDAA 2026, në tre mijë faqet e veta shpjegon se si duhet të shpenzohen paratë e buxhetit për siguri kombëtare dhe në ato tre mijë faqe është specifikuar se si dhe pse përfshihet Ballkani Perëndimor në sferën e sigurisë kombëtare amerikane. Administrata amerikane-prej State Department, Sekretariatit të Luftës(dikur Mbrojtjes) e deri te Departamentet e tjera si të Thesarit- tash ka në duar një strategji të sigurisë kombëtare (NSS) që e përcakton rolin e ri amerikan në botën multipolare (një strategji që ka nxitur reagime jo pozitive në pjesën më të madhe të Evropës) dhe një politikë specifike ndaj Ballkanit Perëndimor që është tash ligj.
Pjesë e atij ligji është përcaktimi se është interes amerikan që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të jenë shtete funksionale, demokratike, multietnike, që bashkëjetojnë në paqe mes vete, me respekt të ndërsjellë, me integrim të ekonomive të veta në një treg të përbashkët regjional, të integruara në BE dhe në NATO (për ata që duan). Kjo është prej vitesh, në një formë a tjetrën, politika e vendeve të BE-së, por paradoksalisht është bërë ligj në SHBA e jo në BE; në BE ende duhet të arrihet konsensusi fillestar që Ballkani Perëndimor ka gjashtë shtete të pavarura.
2.
“Ligji i demokracisë dhe prosperitetit të Ballkanit Perëndimor”, siç dëshiruan ta quajnë pjesën e NDAA 2026 autorët e saj është i paprecedentë për regjion nga fakti se një ligj i këtillë (a pjesë ligji) nuk ka ekzistuar si kompleks parimesh politike dhe obligimesh ligjore për administratën amerikane karshi tërësisë së Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër, ky ligj ka një lloj precedence politike, ngase Kongresi amerikan kishte marrë rol prijës nxitës të politikës së jashtme amerikane në ish-Jugosllavi që nga viti 1989 e tutje dhe politika amerikane u tregua e suksesshme në Kosovë në sajë të bashkëpunimit të ngushtë mes republikanëve dhe demokratëve. Analogjikisht, pjesa e Ballkanit Perëndimor të NDAA u iniciua në Dhomën e përfaqësuesve nga një demokrat e me përkrahje të dy republikanëve dhe arriti në Senat si një amendament i përbashkët i një demokrateje dhe një republikani.
Kjo tash është politikë e jashtme e përbashkët amerikane e legjitimuar nga të dy partitë dhe është politikë e jashtme të cilin do ta trashëgojë presidenti i ardhshëm amerikan dhe ai pas tij. Është spiranca e politikës së jashtme amerikane në regjion.
Kjo është porosia e parë për të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor siç është edhe porosia për Bashkimin Evropian. Përkundër divergjencave në relacionet SHBA-BE (apo vendet anëtare) NDAA 26, ndonëse ligj amerikan ka kapacitet të shndërrohet në pikë konvergjence të politikës amerikane dhe asaj të BE-së, në mos për kurrgjë tjetër për faktin se caku përfundimtar i kësaj politike amerikane është integrimi i plotë euroatlantik i gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE.
Dhe, kjo është mbase një pikënisje e mirë për BE-në, mbase të rralla në këtë kohë, për të bashkëdyzuar veprimet politike. SHBA-ja me “Ligjin e demokracisë dhe prosperitetit të Ballkanit Perëndimor” po bëjnë një investim të madh të prestigjit të vet në diçka që konsiderohej politikë e BE-së, ngase zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit shndërrohet në pikën matëse për mundësinë e zhvillimit të dialogut strategjik të Kosovës a Serbisë me SHBA-në. Tash, normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë në bazë të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit kalon po ashtu nga Washingtoni dhe e ka të përcaktuar qartësinë, kornizën, njohjen e ndërsjellë.
3.
Qeveria e ardhshme e Kosovës do ta ketë fatin që duke shfrytëzuar këtë ligj të gjendet para një shansi të jashtëzakonshëm për të zhvilluar një politikë shumë më aktive e të thelluar me SHBA-në, e njëkohësisht të integrojë këtë thellim si pjesë të një dinamike të re të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Qeverinë e ardhshme, në këtë drejtim, e pret një bashkëbisedim intensiv me administratën amerikane për kutet matëse të avancimit në zbatim të Marrëveshjes së Ohrit dhe ndërlidhjen e tyre me hapjen e dialogut strategjik. Kjo, natyrisht nënkupton ndërlidhjen e BE-së si lehtësues, në optimalizimin e një dinamike që do ta çojë procesin përpara.
Por, ndonëse kjo është pjesë e dukshme fillimisht, sfida për Qeverinë e ardhshme të Kosovës-dhe këtu fjalën sfidë e konsideroj si vistër mundësish-do të jetë që të identifikojë iniciativa për bashkëveprim me SHBA-në që rrjedhin nga Ligji. E këtu lista fillon, mes tjerash, me krijimin e një strukture ombrellë të sigurisë kibernetike, të ndihmës për avancim në luftën kundër korrupsionit dhe në zhvillimin e një strategjie të përbashkët të zhvillimit ekonomik duke u përqendruar në ndryshimin strukturor të burimeve të energjisë.
S’do mend, e tëra kërkohet të vendoset në këtë ligj në logjikën e kornizës së krijimit të kushteve sa më të mira të ndërlidhjes së regjionit dhe këtu do të dalë si njëra prej çështjeve parësore për Kosovën si të rimendohet, mes tjerash, ndërlidhja ekonomike, ajo e transportit, këmbimeve kulturore dhe të dijes si pjesë të marrëveshjes për njohje të ndërsjellë me Serbinë.
4.
Viti 2026 mund të vazhdojë me trendin e filluar më 2025 të ndryshimeve të mëdha gjeopolitike, përfshirë një armëpushim në Ukrainë që do të vendoste një vijë të qartë ndarëse mes botës euro-atlantike dhe asaj euro-aziatike. Në një këso rasti, do të rritet pritshmëria që regjioni i Ballkanit Perëndimor të përshpejtojë integrimin brenda identitetit të vet të natyrshëm, botës euro-atlantike. “Ligji i demokracisë dhe Prosperitetit të Ballkanit Perëndimor” nuk ka mundur të vijë në kohë më të mirë.


















