Nga Mero Baze/
Ka disa lajme të reja pozitive për vëmendjen amerikane në Ballkan. Përkundër asaj që kishin frikë shumë vetë se administrata Trump do të merrej me konflikte të mëdha dhe mund të injoronte rajone si Ballkani, zhvillimet e fundit tregojnë se ka një vëmendje jo vetëm politike, por dhe një përpjekje për t’i kthyer në bazë ligjore politikat afatgjata të SHBA në Ballkan.
Projektligji i ri (H.R. 5274) kërkon ta ndryshojë qasjen e deritanishme të SHBA për rajonin, mbështetur në urdhra ekzekutivë dhe sinjalizime diplomatike, duke i kthyer elementet kryesore të kësaj qasjeje në ligj. Duke e kthyer në ligj këtë politikë, SHBA i bën ato më të vështira për t’u përmbysur në të ardhmen dhe akoma më të vështira për t’u lobuar me para për heqjen e sanksioneve “non grata”.
Ky projektligj jo vetëm që nuk e ul autoritetin që kanë sanksionet e deritanishme “non grata”, por e sanksionon atë në ligj dhe jo thjesht si status personal. Po ashtu, Kongresi po sinjalizon se regresi demokratik dhe korrupsioni politik në Ballkanin Perëndimor nuk janë më shqetësime episodike, por kërcënime strukturore për interesat e SHBA-së.
Shqipëria shihet si një aktor i rëndësishëm për SHBA në rajon dhe kërkohet që zhvillimi ekonomik, tregu energjetik dhe siguria kibernetike të jenë larg rreziqeve të ndikimit të Rusisë apo Iranit.
Sa i përket vlerësimit të nismave rajonale në Ballkan, projektligji i përmend tre iniciativa si potencialisht të dobishme, por të cilat nuk i bekon automatikisht, por kërkon një vlerësim publik zyrtar për secilën në muajt në vijim.
Ato janë “Open Balkan”, “Procesi i Berlinit” dhe “Growth Plan for the Western Balkans”, një plan ekonomik strategjik i miratuar nga Komisioni Europian më 8 nëntor 2023.
Ky është thelbi i projektligjit për pjesën që i takon Shqipërisë, i cili është depozituar në pritje të debateve dhe konsultimeve.
Gjëja më e rëndësishme këtu është rikthimi i vëmendjes amerikane për rajonin dhe, veçanërisht, roli kyç që i jep Shqipërisë.
Projektligji ka sjellë debate pozitive në Shqipëri, pasi opozita e udhëhequr nga Berisha, i cili është i sanksionuar “non grata”, shpreson që ky projektligj, i cili në fakt është propozuar nga një kongresmen demokrat, mund të jetë lobuar për të “rrethuar” qeverinë Rama në Tiranë.
Në fakt, kështu siç është, projektligji as prodhon sanksione të reja dhe as heq ato të vjetrat, por vetëm përpiqet të sistemojë në një ligj gjithë politikat e SHBA për Ballkanin, me qëllim që ato të mos përmbysen nga lobistë të mirëpaguar për interesa politike.
Pastaj, ata që duan me çdo kusht të justifikojnë paratë që kanë paguar lobistët dhe mund të ëndërrojnë çdo tre muaj që SHBA t’i vrasë lopën komshiut meqë ia ka vrarë të vetën, por projektligji nuk jep garanci për këtë.




















