Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratave të opozitës, se ai po i bën presion Gjykatës Kushtetuese, lidhur me padinë për të rrëzuar pezullimin e zv.kryeministres, njëherësh ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Rama tha se ai nuk po i bën presion Kushtetuese, por se është për parimin e mos cënimit të balancës mes pushteteve.
Ndër të tjera, Rama deklaroi se nëse pezullohet një ministër, zv.ministri nuk mund ta ushtrojë detyrën e tij.
“Presion gjykatës? Kryeministri nuk duhet të flasë për një proces gjyqësor? E kam ankimuar unë, natyrisht si kryeministër jo si Edi Rama. Për parimin e mos cënimit të balancës mes pushteteve. Kjo është betejë institucionale gjyqësore, atë që nga Komisioni i Venecias quhet shkelje e kufijve ndarëse të pushteteve. Unë jam palë, nuk i bëj presion askujt. Flas për balancën e pushteteve të pavarura në Shqipëri. Pezullimi do krijonte precedent të rrezikshëm, real dhe kërcënues. Të pezullosh një ministër, do thotë ta asgjesosh pa afat. Nëse ministri pezullohet, zv.ministri nuk e ushtron dot autoritetin ekzekutiv që kushtetuta ia jep vetëm ministrit. As nuk dua t’i hyj fare dokrrave dhe teorive konspirative për betejën ligjore. Këtu nuk është fjala për Belinda Ballukun, por mbrojtjen e kufijve kushtetues të pushteteve.”, theksoi ai./abcnews.al




















