Ulja e borxhit publik duket se do të jetë një ndër sfidat kryesore të ekonomisë shqiptare në 2 vitet që vijnë. Qeveria ka publikuar programin ekonomik për vitin 2026-2028 ku parashikohet që borxhi publik ndaj PBB-së do të vazhdojë trajektoren rënëse në përputhje me rregullin fiskal përkatës.
Në vitin 2025, borxhi publik pritet të bjerë në rreth 54.1 përqind të PBB-së për te vijuar më tej në rreth 53.6 përqind në vitin 2026. Sipas skenarit bazë, borxhi publik pritet të bjerë në rreth 52.2 përqind në vitin 2027 dhe më tej në rreth 46.4 përqind deri në vitin 2031.
Në të njëjtën kohë, krahas konsolidimit fiskal, synohet ruajtja e një raport të shëndetshëm të shpenzimeve buxhetore për investimet publike që targetohen të jenë mbi 6.0 përqind e PBB në çdo vit buxhetor për periudhën 2026-2028 mesatarisht 6.4 përqind në vit, duke përfshirë këtu investimet e reja publike që potencialisht do të mundësohen në kuadër të Planit të Ri të Rritjes.
Edhe për vitet që vijnë rritja ekonomike do të udhëhiqet sektorët e shërbimeve dhe ndërtimit duke konfirmuar kontributin e turizmit në ekonominë shqiptare. Gjatë periudhës afatmesme 2026-2028, PBB-ja parashikohet gjithashtu të rritet me një normë mesatare vjetore prej 4.0%, e nxitur nga zhvillimet e ekonomisë vendase dhe pritjet për ekonominë globale, dhe veçanërisht atë të Bashkimit Europian.
Sektori i shërbimeve del si motori kryesor i rritjes me mbi 5.7% Aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike pritet të rriten me rreth 4.7% në 2026, duke dhënë një kontribut prej rreth 0.1 pikë përqindje në rritjen totale.
Strategjia përfshin një rishikim gjithë përfshirës edhe të politikave tatimore dhe përmirësime në administrimin tatimor për të rritur mobilizimin e të ardhurave dhe për të siguruar një sistem tatimor të drejtë dhe efikas. Kjo shtyllë synon forcimin e administratës tatimore duke adresuar sfidat kryesore, si reduktimi i hendekut të pajtueshmërisë për TVSH, kufizimi I transaksioneve me para në dorë, verifikimi i burimeve të të ardhurave dhe kontrolli i pasurive të pajustifikuara.




















