Raportimet e mëhershme në media sugjeronin se raketat e sistemit rus “Oreshnik”, të cilat thuhet se janë dorëzuar tashmë në Bjellorusi, mund të arrinin Kievin brenda vetëm 1 minute e 51 sekondash.
Megjithatë, sipas një analize të publikuar nga Defense Express, kjo nuk qëndron.
Sipas ekspertëve, Kievi – dhe në fakt pjesa dërrmuese e territorit të Ukrainës – ndodhet jashtë rrezes së goditjes së këtij sistemi nëse lëshohet nga Bjellorusia.
Pse? “Oreshnik” është një raketë balistike me rreze të mesme veprimi, me dy faza dhe karburant solid. Ashtu si raketat e tjera të kësaj kategorie, ajo ka jo vetëm një rreze maksimale, por edhe një rreze minimale funksionale.
Sipas të dhënave të Inteligjencës ukrainase, rrezja minimale e fluturimit të kësaj rakete është rreth 700 kilometra, ndërsa rrezja maksimale arrin deri në 5 mijë e 500 kilometra. Distanca më e madhe nga territori i Bjellorusisë deri në Kyiv është rreth 660 kilometra – pra më e vogël se rrezja minimale e nevojshme për lëshim efektiv.
Kjo do të thotë se një goditje ndaj Kievit nga Bjellorusia është teknikisht e pamundur.
Por ku qëndron shqetësimi për Evropën?
Nëse Ukraina është jashtë rrezikut në këtë skenar konkret, tabloja ndryshon për një pjesë të madhe të Evropës. Me një rreze maksimale deri në 5 mijë e 500 km, raketa të këtij tipi, nëse dislokohen dhe përdoren nga territore më të thella lindorë, potencialisht mbulojnë një pjesë të konsiderueshme të kontinentit evropian.
Zona e shënuar në hartë nga analistët tregon qartë hapësirën që mbetet jashtë rrezikut nga një lëshim i tillë nga Bjellorusia – duke konfirmuar se kërcënimi nuk është Kievi, por implikimet strategjike më të gjera për sigurinë evropiane dhe balancën ushtarake në rajon.


















