Kolegji i Gjykatës Kushtetuese shqyrton sot dhe pritet të vendosë për pranimin e padisë së kryeministrit Rama kundër vendimit të GJKKO për pezullimin nga detyra të zv kryeministres Belinda Balluku.
Këshilli i Ministrave kërkon shpalljen si anti kushtetues të vendimit të gjykatës së posaçme të datës 19 nëntor 2025 për masën e sigurisë pezullim nga detyra ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku.
Në padinë e plotë të firmosur nga kryeministri Edi Rama, theksohet se kryeministri vlerëson se vendimi në fjale është anti kushtetues pasi: cënon garancinë e imunitetit të Këshillit të Ministrave, sipas pikës 3 të nenit 103 të kushtetutës ku thuhet se “gëzon imunitetin e deputetit”, cënon parimin e ndarjes së pushteteve.
Kryeministri i kërkon Gjykatës Kushtetuese ta shfuqizojë masën e pezullimit dhe të zgjidhe mosmarrëveshjen e kompetencës të krijuar, për shkak të faktit se me vendimin e saj, GJKKO duke vendosur masën në fjalë, ka krijuar de fakto një situatë juridike ku ndërhyn në veprimtarinë funksionale të Këshillit të Ministrave dhe në kompetencën kushtetuese të kryeministrit për të propozuar emërimin dhe shkarkimin e ministrit.




















