Nga Dritan Hila
Pas tubimit të Durrësit, Salianji i ka vazhduar takimet e tij në Gjirokastër dhe Elbasan. Ndërkohë ka ngritur stekën e fjalimeve të tij. Nuk ka asgjë programatike përveç fjalëve klishe, por e reja qëndron në formulimin se fajin për humbjen e ka udhëheqja.
Për të sqaruar rrëshqitshmërinë e këtij përcaktimi, ka ndërhyrë Top Channel, me saktë moderatorja e programit kryesor politik të tij, Grida Duma, njëkohësisht bashkëjetuesja e mesa duket edhe përkrahësja e iniciativës politike të Salianjit, e cila e targetoi sulmin mbi Flamur Nokën.
Kësaj fushate mediatike nuk i mungon as amplifikimi nga media i rasteve sporadike ku Noka përplaset në Kamëz me një militante të PD-së, ngjarje që u paraqit sikur u përplas me kryetarin e Këshillit të Evropës.
Por jo vetëm. Janë disa zëra influentë te kupola e PD-së të cilët e sulmojnë Nokën, dikush për inate personale, kurse të tjerët për karrierë.
A është vërtet kaq i rëndësishëm Flamur Noka sa të mobilizojë gjithë këta njerëz kundra tij?
Në fakt synimi është diku tjetër. Modeli Noka është i njohur në historitë politike. Janë njerëz besnikë të liderit, të cilët nuk synojnë asnjëherë postin e tij dhe që mbajnë të pastër zonën jetike të tij. Janë njëkohësisht krahu i fortë që bëjnë punët jo fort higjienike kur duhet të bien në rresht repartin dhe disiplinojnë zullumqarët. Të ngjashëm të Nokës janë pafund në historinë politike shqiptare apo më tej.
Por këta janë edhe llogorja e fundit e një lideri. Nëse bien ata, apo nëse i tradhtojnë, udhëheqësi politik gjendet i zbuluar ndaj gjithë kërcënimeve dhe rënia e tij është çështje kohe. Këtë e di shumë mirë Berisha. Ai është i sigurt në besnikërinë e Nokës i cili nuk pati mëdyshje rreshtimi në asnjë moment pas shpalljes non-grata të Berishës. Sikurse Berisha e di se sulmet ndaj njeriut besnik të tij realisht drejtohem kundër tij.
Ndaj është naivitet i atyre që e sulmojnë se Berisha do ta eliminojë Nokën për të qetësia aspirantët për karrierë. Berisha nuk ka frikë se i marrin partinë. Pas fushatës për rimarrjen e saj kur u duk se mbeti vetëm, nuk e trembin salla me 150-200 vetë. Sikurse e di që kjo parti dobësohet nëse eliminon Nokën, por jo Salianjin. Këtë e tregoi edhe sot, duke përcaktuar se nga cili krah anon dhe kujt i takon vendi i dytë. Për të tjerat e di Flamuri si i qëron hesapet./dritare.net




















