Deputetja e PD-së Jorida Tabaku dhe ministri i Financave Petrit Malaj u përplasën ashpër këtë enjte në Kuvend për çështjen e transparencës mbi përfituesit e ligjit të shlyerjes së borxheve. Tabaku akuzoi ministrinë se prej një muaji nuk i është përgjigjur katër kërkesave të saj zyrtare, ndërsa Malaj e kundërshtoi duke e quajtur deklaratën e saj të pavërtetë.
“Sipas nenit 80 të Kushtetutës, drejtuesit e institucioneve shtetërore me kërkesë të deputetëve duhet të japin shpjegime për çështje të ndryshme. I kam kërkuar ministrit të Financave prej një muaji disa shkresa, për të bërë transparencë mbi përfituesit e ligjit të shlyerjes së borxheve, njëkohësisht transparencë mbi amnistinë fiskale. Ministri e ka detyrë kushtetuese të kthejë përgjigje për përfituesit, a janë koncesionarë, marrës të tenderave, subjekte të SPAK? Jo 1 por 4 shkresa kam dërguar që nuk kanë sjellë përgjigje as nga Tatimet e as nga Doganat. I kërkoj ministrit të bëjë transparencë. Nuk mund ta miratojmë nen për nen pa pasur transparencë,” tha Tabaku në seancë.
Ministri Petrit Malaj reagoi menjëherë duke thënë se kërkesa e deputetes nuk është dërguar një muaj më parë, por vetëm para një jave.
“S’e kuptoj se si arrini të gënjeni me zë dhe figurë që keni dërguar 4 shkresa dhe paskeni dhe një muaj që e keni dërguar, se në fakt ka ardhur vetëm para një jave në ministri. Mos gënjeni. Si ligjvënëse e vjetër duhet të dini se kërkesa që keni sjellë është në kundërshtim me disa ligje të tjera për nivelin e informacionit që keni kërkuar. Duhet t’i referoheni ligjit të procedurave tatimore për të kuptuar se informacioni që kërkoni nuk mund të ndahet, është e dhënë personale dhe duhet konsensusi i debitorit. Në lidhje me informacionin se kush janë përfituesit e detyrimeve tatimore e doganore, e kam sqaruar, janë 202 mijë përfitues,” u shpreh Malaj.
Pas kësaj, Tabaku e akuzoi ministrin si për gënjeshtër, ashtu edhe për mosnjohje të ligjit.
“Zoti ministër, të gënjesh kaq paturp por të kesh edhe kaq injorancë ligjore unë s’e di,” tha ajo, duke e mbyllur replikën me tone të ashpra në sallën e Kuvendit.

















