Me protestat e fundit ku pjesëmarrja edhe e militantëve lë për të dëshiruar, Sali Berisha thotë para Këshillit Kombëtar se deri më tani kanë treguar ‘muskujt’, por pranon se nuk kanë bërë mjaftueshëm për rrëzimin e Edi Ramës nga pushteti.
Berisha premton se do të përshkallëzojnë protestat deri në greva urie, apo demonstrata të dhunshme.
“Nëse e dëgjuat, çfarë tha. Nuk do ta kalojmë si rastet e tjera, por do bëjmë analizë të thelluar, e them këtë si udhëheqës i reformës të drejtësisë. Dhe ne i themi guxo, do bëjmë gjithçka që vend mbi tokë nuk të lëmë nëse ti përpiqesh të marrësh pushtetin minimal të drejtësisë.
Nuk mundet që në të pranojmë një bandit, një hajdut, një njeri i cili u ka bërë shqiptarëve më të zeza se asnjë pushtues tjetër i egër dhe tani kur kërkohet të japë hesape. Në rastin e tunelit të Llogarasë, Lubia është shërbëtore e tij, ka firmosur ato që i ka thënë Rama. Ndaj edhe ky është kaq i angazhuar për mbrojtjen. Ajo masa ishte lehtësi, ajo duhet të ishte në arrest. Nuk e lëshon se ajo e merr me vete. Po nuk u ngritëm ne, nuk ikën ai.
Tani do flasim ne, kësaj here beteja jonë është me sakrifica, me përballje, ne nuk mund të tërhiqemi, kjo është prova jonë e madhe. Besimi i shqiptarëve është tek ne, nëse s’do na shihte për të qenë, s’do na votonte fare, na shuante. Por, a kemi bërë ne përpjekjen finale për rrëzimin e tij? Jo nuk e kemi bërë, ne kemi bërë shumë protesta, mirë kemi bërë, kemi treguar muskuj. Kemi bërë lëvizje, nuk ishin ato që mund të rrëzonin Ramën.
Ramën e rrëzon ajo lëvizje që ngjit aty dhe nuk shqitet më, ne do ta bëjmë atë lëvizje. Ramën e rrëzon greva urie, demonstrata, me të gjitha format. Tani jemi në të drejtën e zotit. Kemi ligjin ndërkombëtar që thotë se zgjedhjet i ka dhunuar, kemi ligjin kombëtar që thotë se zgjedhjet ishin farsë, kemi përpjekjet e tij të çmendura për të kontrolluar gjithçka në këtë vend dhe së fundmi peng i Ballukut”, tha Berisha.




















