Një deklaratë e publikuar në rrjete sociale nga ish-deputeti i Partisë Demokratike, Xhemal Gjunkshi dhe disa portale, ka ngritur pretendime për një lidhje familjare mes ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengu dhe zëvendësministrit Andrea Shllaku, duke e cilësuar këtë si “kapje familjare të sigurisë kombëtare”.

Sipas verifikimeve të kryera nga burime zyrtare dhe konfirmimeve të pavarura, pretendimi për një lidhje farefisnie mes Pirro Vengut dhe Andrea Shllakut është i pavërtetë. Të dy zyrtarët nuk kanë asnjë lidhje familjare, as siç pretendohet në statusin e ish-deputetit, ku thuhet se ata janë “djem teze”. Në fakt për ironi, ministri Vengu nuk ka teze.

Burime pranë institucioneve shtetërore bëjnë me dije se emërimi i Andrea Shllakut është kryer në përputhje me procedurat ligjore, ndërsa çdo insinuatë për nepotizëm apo shkelje të protokolleve të NATO-s nuk mbështetet në asnjë dokument apo fakt zyrtar.

Përdorimi i termave si “rrezik për sigurinë kombëtare” dhe përfshirja e institucioneve ndërkombëtare si NATO, EUROPOL apo FBI, pa prova konkrete, vlerësohet nga analistët si retorikë politike, që synon krijimin e perceptimeve të rreme në opinionin publik.

Burime pranë Ministrisë së Mbrojtjes konfirmojnë se asnjë institucion ndërkombëtar nuk ka ngritur shqetësime lidhur me emërimet në fjalë, ndërsa akuzat e bëra në rrjetet sociale mbeten opinione personale politike, jo fakte.

Raste të tilla nënvizojnë rëndësinë e verifikimit të informacionit, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje të ndjeshme si siguria kombëtare, për të shmangur përhapjen e fake neës dhe dezinformimit publik.