U lançua sot reforma e taksës dhe pasurisë së paluajtshme në Shqipëri, një nismë e rëndësishme, që po krijon një sistem modern të taksës së pronës në vendin tonë, i cili do të bazohet në vlerën e tregut të pasurive të paluajtshme, dhe do të forcojë rolin e bashkive në mbledhjen e kësaj takse të rëndësishme, duke e sjellë Shqipërinë më afër Bashkimit Europian.
Në kuadër të kësaj reforme, është përmbyllur me sukses “Protax Albania”, projekti i Ministrisë së Financave i hartuar në bashkëpunim me Agjencinë suedeze të Zhvillimit, i cili u prezantua në eventin e posaçëm me pjesëmarrjen e Ministrit të Financave Petrit Malaj, Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo, drejtuesve të institucioneve financiare në vend, si dhe partnerëve ndërkombëtarë, njëkohësisht bashkëpunëtorë në projekt.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo theksoi se reforma e taksave është një standard i ri drejtësie dhe transparence, si një detyrim ndaj qytetarëve. “Reforma e taksës së pasurisë është më shumë se një proces teknik. Ajo është një transformim kulturor në administrim. Në qendër të saj qëndron një bindje e thjeshtë dhe shumë e fuqishme se çdo qytetar meriton të trajtohet njësoj kudo që jeton me të njëjtat rregulla dhe të njëjtat standarde.” – u shpreh ai.

Reforma e taksës së pasurisë do të fillojë të implementohet në 2026, ndërkohë që të ardhurat do të administrohen nga bashkitë për të përmirësuar shërbimet lokale për të patur shërbime më të mira për qytetarët.

Ministri i Financave Petrit Malaj the se përmbyllja e projektit “Protax Albania”, me partnerët suedezë, është hapi i mëtejshëm i reformës drejt taksimit të pasurive të paluajtshme, bazuar në vlerën e tregut dhe kthimin e saj në burimin kryesor të të ardhurave për bashkitë në vend. “Ky projekt është i një rëndësie të veçantë dhe tërësisht në linjë me reformat që kjo qeveri po ndërmerr edhe në kuadër të integrimit të Shqipërisë në BE. Qëllimi ynë kryesor është të garantojmë një taksim të drejtë dhe efikas të pronës në Shqipëri, si dhe të forcojmë rolin e bashkive për mbledhjen e një prej taksave më të rëndësishme, jo vetëm në rajon por edhe më gjerë.” – theksoi ministri Malaj, ndërsa shtoi se kjo taksë, do t’u garantojë bashkive pavarësi financiare.

“Taksa mbi pronën duhet të jetë taksa më kontributive, më e rëndësishme për njësite e vetëqeverisjes vendore. Garantimi i mbledhjes së saj nuk mund të konsiderohet thjeshtë si një burim i të ardhurave mbi buxhetin e bashkive, por duhet të përkthehet në më shumë shërbime për qytetarët, në më shumë investime publike, të cilat nga ana tjetër, përkthehen edhe në një mirëqenie për komunitetet, ku ju veproni. Nga ana tjetër, kjo taksë do tu garantojë bashkive një pavarësi financiare.” – tha ai.
Me një ligj tërësisht të ri dhe me vënien në funksionim të plotë të Kadastrës Fiskale, brenda vitit 2030 do të arrihet zbatimi i një taksimi të drejtë, si për pronën, ashtu edhe për tokën sipas standardeve, që sot zbatojnë vende të ndryshme të Europës.