Luftimet kanë rinisur midis Tajlandës dhe Kamboxhias në zona të shumta në kufirin e tyre të diskutueshëm, teksa të dyja palët po fajësojnë njëra-tjetrën.
Tajlanda po kryen sulme ajrore ndaj asaj që ajo i quajti instalime ushtarake kamboxhiane.
Përshkallëzimi i fundit do të jetë një provë e madhe e një armëpushimi të ndërmjetësuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump në korrik.
Cila është situata aktuale?
Konflikti shpërtheu para agimit të së hënës, me përleshje në pesë vende kufitare, sipas ushtrisë së Tajlandës.
Ministria e Mbrojtjes e Kamboxhias ka thënë se forcat e saj u sulmuan, por nuk ishin hakmarrë dhe po respektonin armëpushimin pas “veprimeve të shumta provokuese” nga Tajlanda.
Ushtria e Tajlandës ka thënë gjithashtu se trupat e saj u sulmuan dhe akuzoi Kamboxhian për hedhjen e raketave BM-21 të montuara në kamionë drejt zonave civile. Ajo ka thënë po ashtu se forcat kamboxhiane kanë përdorur granatahedhës, artileri dhe dronë për të hedhur eksplozivë në bazat tajlandeze.
Forca ajrore tajlandeze ka shtuar se avionët e saj luftarakë nisën sulme ajrore herët në mëngjes duke synuar instalimet ushtarake, bazuar në vlerësimet operacionale që treguan se Kamboxhia kishte mobilizuar armatime të rënda dhe kishte ripozicionuar njësitë luftarake.
Sulmet ajrore kishin për qëllim të parandalonin një përshkallëzim dhe të zvogëlonin aftësitë ushtarake të Kamboxhias, pretendonte forca ajrore tajlandeze.
Tajlanda ka bërë të ditur se rreth 380,000 njerëz janë zhvendosur në strehimore dhe autoritetet kamboxhiane kanë deklaruar se 1,157 familje janë zhvendosur nga provinca Oddar Meanchey.
Kryeministri i Malajzisë, Anëar Ibrahim, i cili ndihmoi në ndërmjetësimin e armëpushimit fillestar, ka bërë thirrje për përmbajtje për të parandaluar prishjen e armëpushimit.
Çka çoi drejt luftimit?
Luftimet e ripërtërira janë më seriozet që nga një shkëmbim pesë-ditor raketash dhe artilerie të rëndë në korrik që shënoi luftimet e tyre më të këqija në historinë e kohëve të fundit. Të paktën 48 persona u vranë dhe 300,000 të tjerë u zhvendosën para se Trumpi të ndërhynte për të sjellë armëpushim.
Nuk është ende e qartë se çfarë shkaktoi trazirat e fundit, por tensionet janë shtuar që kur një ushtar tajlandez u plagos nga një minë tokësore më 10 nëntor, duke bërë që Tajlanda të pezullojë masat e çtensionimit të dakordësuara në një marrëveshje të përforcuar armëpushimi të rënë dakord disa javë më parë në Malajzi në prani të Trumpit.
Tajlanda thotë se mina tokësore ishte ndër disa që u vendosën rishtazi nga Kamboxhia dhe se situata nuk do të deeskalohej derisa Kamboxhia të kërkonte falje. Kamboxhia i ka hedhur poshtë vazhdimisht akuzat.
Trumpi, të cilin Kamboxhia e nominoi për Çmimin Nobel për Paqen, u kishte bërë thirrje udhëheqësve të të dy vendeve muajin e kaluar duke i nxitur ata të përmbahen në armëpushim.
Si krahasohen dy vendet ushtarakisht
Tajlanda ka një ushtri të madhe dhe të financuar mirë që e tejkalon atë të Kamboxhias, me trefishin e personelit aktiv të forcave të armatosura dhe një ndarje të buxhetit të mbrojtjes për vitin 2024 që ishte katër herë më e madhe se ajo e fqinjit të saj.
Ushtria e Kamboxhias ka 75,000 ushtarë, më shumë se 200 tanke beteje dhe rreth 480 copë artilerie, krahasuar me 245,000 personel, rreth 400 tanke, më shumë se 1,200 transportues të blinduar dhe 2,600 armë artilerie të ushtrisë tajlandeze. Forcat ajrore të Tajlandës kanë gati 40 avionë luftarakë dhe dhjetëra helikopterë, ndërsa Kamboxhia ka 16 helikopterë shumëfunksionalë, por asnjë avion luftarak.
Si lindi mosmarrëveshja?
Tajlanda dhe Kamboxhia për më shumë se një shekull kanë kontestuar sovranitetin në pika të ndryshme të pashënuara përgjatë kufirit të tyre tokësor prej 817 km, i cili u hartua për herë të parë nga Franca në vitin 1907 kur Kamboxhia ishte kolonia e saj.
Kjo hartë, të cilën Tajlanda e kontestoi më vonë, bazohej në një marrëveshje që kufiri të demarkohej përgjatë vijës natyrore të ujëmbledhësit midis dy vendeve. Në vitin 2000, ata ranë dakord të krijonin një komision për të adresuar në mënyrë paqësore pretendimet mbivendosëse, por pak përparim është bërë.
Pretendimet mbi pronësinë e vendeve historike kanë rritur tensionin nacionalist, veçanërisht në vitin 2003 kur protestuesit dogjën ambasadën tajlandeze dhe bizneset tajlandeze në Phnom Penh për shkak të një komenti të supozuar nga një personazh i famshëm tajlandez që vinte në dyshim juridiksionin mbi tempullin Angkor Wat të Kamboxhias, i cili është i listuar si Trashëgimi Botërore.
Tempulli hindu i shekullit të 11-të Preah Vihear, ose Khao Phra Viharn në Tajlandë, ka qenë në qendër të mosmarrëveshjes, me të dy vendet që pretendojnë pronësi historike.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ia dha tempullin Kamboxhias në vitin 1962, por Tajlanda vazhdoi të pretendonte se posedonte tokën përreth. Tensioni u përshkallëzua në vitin 2008 pasi Kamboxhia u përpoq ta listonte Preah Vihear si një vend të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, duke çuar në përleshje dhe në dhjetëra të vdekur, përfshirë gjatë një shkëmbimi artilerie njëjavor në vitin 2011.
Çka fshihet pas problemeve të këtij viti?
Ndjenjat nacionaliste u nxitën në Tajlandë në vitin 2024 kur konservatorët vunë në pikëpyetje një plan qeveritar për të negociuar me Kamboxhian për të eksploruar së bashku burimet e energjisë në det të hapur.
Në maj, një ushtar kamboxhian u vra nga forcat tajlandeze gjatë një përleshjeje të shkurtër, duke bërë që të dy vendet të rrisnin trupat në kufi. Në të njëjtën kohë, Kamboxhia ia referoi mosmarrëveshjet mbi tempujt në katër zona GJND-së.
Tensionet kufitare çuan në rrëzimin e kryeministres tajlandeze Paetongtarn Shinawatra, e cila u shkarkua nga detyra nga një gjykatë në gusht pasi përpjekja e saj për të qetësuar situatën pati efekt të kundërt në mënyrë spektakolare kur u publikua një telefonatë e ndjeshme me ish-kryeministrin me ndikim të Kamboxhias Hun Sen, duke shkaktuar zemërim publik.




















