Sot, gjatë foltores së tretë të Partisë Demokratike, kryedemokrati Sali Berisha mbajti një fjalim ku akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për korrupsion dhe keqmenaxhim ekonomik. Ai tha se misioni i foltores është pikërisht largimi i kryeministrit Rama nga pushteti.
“Jemi këtu për një mision, për të përzënë nga pallatet e krimit një bandë e cila është zhytur në krim, në vjedhje, ndër më të rëndat në historinë e këtij kombi. Miq, në ekzistencën tonë të gjatë ne kemi njohur shumë pushtime. Kemi njohur diktatura dhe mënxyra, por kurrë ndonjëherë nuk kemi shkuar 100 vite mbrapa siç kemi shkuar këto vite. Kurrë më parë s’kemi humbur mbi 45% të materies kombëtare si këto 210 vite, nuk jemi varfëruar më shpejt se këto 10 vite, nuk ka patur një klikë, një grup kaq antishqiptar në çdo aspekt sa ky që kemi sot.
Jemi dëshmitarë këto ditë të një krize nga më të paimagjinueshmet, krizë që zhvesh lakuriq para shqiptarëve hajdutin më të madh të të gjitha kohërave, Edi Ramën. U desh akuza e bazuar në dokumenta zyrtare të vjedhjes së 50 milionë eurove nga zëvendëkryeministrja, për të bërë që Edi Rama t’u thotë shqiptarëve: që hajduti jam unë, paratë i kam marrë unë dhe drejtësisë i tregoj bërrylin dhe s’e lejoj të veprojë,” tha Berisha.




















