Gjatë intervistës në emisionin “Opinion” kryeministri Edi Rama foli edhe për një nga momentet më të vështira që prej futjes së tij në politikë. Ai tha se gjatë betejës për të marrë drejtimin e Partisë Socialiste ka qenë në tension pasi djali i tij, Gregori, ka qenë sëmurë.
“Momenti më i vështirë ka qenë momenti ku duhej të bëja luftën për të marrë drejtimin e PS dhe njëkohësisht duhej të ndiqja në distancë me shumë tension ecurinë e sëmundjes së djalit tim. Ishin të dyja bashkë në të njëjtën kohë dhe ishte shumë sfidë e madhe që nga një anë duhej të isha energjik, i qeshur, guximtar, i fortë, i vendosur për të marrë lidershipin e PS”, tha Rama.
Kanë qenë njerëzit që e rrethonin që Rama ta tejkalonte këtë sfidë dhe të vijonte karrierën politike.
“Në atë sfidë kanë qenë vendimtarë njerëzit duke filluar nga ai vetë, ishte i vogël, por ishte shumë i vendosur në atë luftë. Pastaj edhe ime më, Linda të gjithë. Ishte një gjë shumë e kombinuar”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama konsideron si momentin më të rëndësishëm të jetës së tij publike dhe private momentin kur Linda Rama pranoi që të ishte bashkëshortja e tij.
“Momenti më i rëndësishëm në jetën time publike dhe private ka qenë kur Linda pranoi të bëhej gruaja ime. Më i rëndësishmi në jetën time publike dhe private”, tha ai.
Ai shtoi se ajo i ka dhënë qetësinë dhe atë që i mungonte.
“Linda më ka dhënë atë që më mungonte në kuptimin e një gjysme tjetër që nuk është aty thjesht se është aty, por është aty për të qenë komplementare dhe nga ana tjetër për të vendosur gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë me ekuilibër këtë qenie të përbashkët që është një burrë dhe një grua.
Më ka dhënë qetësi, më ka dhënë mundësinë që ta shoh veten vazhdimisht nga një këndvështrim tjetër. Më ka vendosur vazhdimisht përballë sfidës së të argumentuarit të gjërave në një mënyrë krejt ndryshe nga sa isha mësuar”, tha Rama.
Duke folur edhe për momentin më mbresëlënës Rama përmendi martesën.
“Më mbresëlënësi është që unë u bëra burrë i martuar 24 karat. Nuk ishte hera e parë që martohesha, por ishte hera e parë që martohesha me dasëm, me miq me shokë, me familje, me njerëz. Ishte mbresëlënëse ta shihja veten në atë pozicion pasi kisha ndërtuar një filozofi të tërë që nuk dua as martesë as shtëpi. Se unë asnjëherë nuk kam pasur në periudhën më pas, asnjëherë shtëpinë time. Mjafton një shtëpi me qira se shtëpia ime jam vetë. Këto të dyja më ranë në tokë si kolona filozofike”, tha ai.




















