Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka deklaruar se presin që Serbia të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin terrorist në Banjskë.

Rutte iu përgjigj gazetarëve para takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s teksa shtoi se për këtë çështje ka folur edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç. Sipas Rutte, Vuçiç ka deklaruar se do të punojë në këtë drejtim.

“Paraardhësi im ka punuar në këtë më presidentin e Serbisë, Alexander Vuçiçin. Edhe unë kam folur vet më të, dhe ai më tha se do të punojë në këtë, dhe ne presim nga autoritetet serbe të kryejnë pjesën e tyre në këtë drejtim”, tha ai, përcjell ‘Euronews’.

Në shtator të vitit 2023 grupi terrorist nga Serbia kreu sulm në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Udhëheqës i këtij grupi ishte ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç. Ndaj 45 pjesëtarëve të këtij grupi Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë. Kosova ka kërkuar që Radoiçiç dhe pjesëtarët tjerë të dorëzohen nga Serbia.