Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama në një konferencë me gazetarët, ku do të bëjë dhe mbylljen e vitit që sapo lëmë pas, u ndal te pensionet. Ai tha se duke nisur nga janari, do të rriten pensionet, për disa kategori.
Teksa u ndal te vlerësimet edhe të SIGMA, ai tha se Shqipëria është cilësuar lider i funksionimit të administratës publike.
“Nga janari nis rritja e indeksimit të pensioneve. Pensioni urban duke nisur nga janari do të rritet me 18 mijë lekë të vjetra në muaj. Edhe do të dyfishohet në janar të 2027 e me radhë. Pensioni urban i pjesshëm do të rritet me 8 mijë lekë, familjari me 700 lekë, i invaliditetit me 6 mijë lekë. Kemi të dhëna pozitive dhe me një fushë tjetër, që është arsimi profesional. Kemi arritur në afro 20%. Interesi për arsimin profesional është i lartë. Kemi pasur 63% të të punësuarve nga nxënësit që kryejnë arsim profesional. Nga Doganat kanë ardhur 620 mld lekë të ardhura për shtetin. Janë miratuar disa politika të reja qoftë përsa i përket paketës fiskale, sa i përket paqes fiskale. Edhe sipas vlerësimit të SIGMËS që është institucion që bën llogaritë, Shqipëria konsiderohet vend lider në funksionimin e administratës publike në rajon dhe në disa fusha specifike. Kjo është në kudërtendencë me atë se çfarë ziejnë 70 tenxheret politike dhe mediatike. Por nuk besoj se Sigma ka lidhje me PS dhe qeverinë shqiptare. Shqipëria për një kohë të gjatë ka qenë e varur nga koncesione të vjetra, që të prodhojë pulla fiskale dhe të markojë karburante.”, tha ai.




















