Shqipëria merr Presidencën e CEFTA-s për vitin 2026, një mandat që synon të forcojë bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe të afrojë më tej Ballkanin Perëndimor me tregun e përbashkët evropian. Vendimi u zyrtarizua në Prishtinë, gjatë panelit të nivelit të lartë të mbajtur në kuadër të Javës së CEFTA 2025, ku mori pjesë Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.
Në fjalën e saj, ministrja deklaroi se ekonomitë e rajonit po përballen me një realitet të ri global, nga ndryshimet në zinxhirët e furnizimit te sfidat klimatike, duke rritur nevojën për tregje më të integruara dhe rregulla të parashikueshme. Ajo theksoi se CEFTA mbetet platforma më e rëndësishme për stabilitetin ekonomik dhe për afrimin me standardet e Bashkimit Evropian.
Ibrahimaj vuri në dukje se bashkëpunimi rajonal duhet të shndërrohet në praktikë të përditshme, duke harmonizuar rregullat, digjitalizuar pikat kufitare, rritur transparencën dhe përfshirjen e biznesit, asistencën teknike, si dhe përfshirjen e NVM-ve në hartimin e politikave. Ajo shtoi se progresi në CEFTA kërkon vullnet të qëndrueshëm politik, për të eleminuar burokracitë dhe për të ndërtuar një klimë të favorshme për sipërmarrjen dhe rritur besimin tek investitorët.
Një nga temat kryesore të panelit ishte roli i CEFTA-s në tërheqjen e investimeve me vlerë të shtuar. “Rajoni duhet të lëvizë drejt investimeve që sjellin teknologji, aftësi dhe produktivitet, duke e bërë CEFTA-n një platformë funksionale për integrimin gradual në tregun e BE-së,” u shpreh Ibrahimaj.
Duke prezantuar vizionin e Shqipërisë për vitin 2026, Ibrahimaj renditi katër prioritetet strategjike të Presidencës së ardhshme: fuqizimi i bashkëpunimit politik dhe institucional; rritja e transparencës dhe përfshirjes së aktorëve ekonomikë e socialë në hartimin e politikave; prodhimi i rezultateve konkrete për bizneset, veçanërisht në qarkullimin e mallrave, Green Lanes, turizëm dhe tregtinë agro-ushqimore; si dhe mbështetja e investimeve me vlerë të shtuar përmes një tregu rajonal më të harmonizuar dhe më të parashikueshëm.
Sipas Ibrahimaj, ky është momenti që CEFTA të kalojë në një moment tjetër të rëndësishëm, duke theksuar përkushtimin e Shqipërisë për ta çuar përpara këtë proces në frymën e integrimit evropian dhe të zhvillimit të përbashkët ekonomik të rajonit.




















