Shqipëria po lë pas një vit shumë të suksesshëm, ku natyrisht kualifikimi për herë të parë në “Play Off” të Kupës së Botës”, është një nga sukseset më të mëdha që Shqipëria ka arritur ndonjëherë.
Viti 2025 nuk nisi në mënyrën më të mirë të mundshme duke qenë se Shqipëria vinte nga një dështim në Ligën e Kombeve dhe në fakt, duke parë paraqitjet që janë bërë asokohe dhe duke e lidhur me shortin që kishte Shqipëria, nuk pritej me shumë optimizëm një sukses i tillë. Por, kuqezinjtë ia dolën që të realizojnë gjysmën e ëndrrës së madhe që kemi të gjithë, pasi në muajin mars do të tentojmë për herë të parë të luajmë në Kupën e Botës, por për të bërë këtë duhet të fitojmë 2 ndeshje që janë sigurisht 2 ndeshjet më të rëndësishme në histori.
NGA ANGLIA TE ANGLIA Shqipëria e nisi rrugëtimin e saj me një transfertë shumë të vështirë në Angli, aty ku në Uembli i duhej mrekullia për të synuar kualifikimin. Por, duke qenë të qartë se kë kishim përballë, nuk mund të pritej shumë e në fakt Anglia e fitoi ndeshjen megjithëse jo pa vuajte. Kuqezinjtë bënë një ndeshje shumë të mirë në Angli pavarësisht se u mundën. Në ndeshjen e dytë, kuqezinjtë bënë atë që duhej të bënin duke fituar me Andorrën në shtëpi me rezultatin 3-0. E në fakt, Anglia ishte skuadra e vetme që na mundi në këto kualifikuese dhe diçka të tillë e bëri edhe pak muaj më parë, në ndeshjen e fundit kualifikuese por që për asnjërën nga skuadrat nuk pati shumë vlerë sepse objektivat ishin arritur dhe ajo sfidë, u kthye në miqësore luksi. Kështu, Anglia na dha fat në ndeshjen e parë për të siguruar vendin e dytë në grup dhe për të na ndihmuar edhe më shumë, “3 luanët” fituan ndeshjen në Londër kundër Serbisë, e cila me kombinimin e fitores së Shqipërisë në Andorra, na solli matematikisht kualifikimin si vendi i dytë në grup, arritje kjo të cilën Shqipëria gjithmonë e ka pasur ëndërr dhe vetëm i është afruar pa e arritur kurrë më parë. Natyrisht kuqezinjtë kishin një rrugëtim të vështirë, me histori e dështime por në fund, ndeshja në Tiranë ishte festë.
FITORJA NË SERBI Shqipëria luajti në qershor kundër Serbisë në Tiranë dhe një penallti e humbur nga Rei Manaj, u komentua gjatë dhe u mendua për shumë muaj se do të ishte momenti që do të mbetej peng në kujtimet e të gjithëve. Por, Rei Manaj diti të bënte mirë, diti të ndryshonte historinë dhe në tetor e bëri diçka të tillë pikërisht në Leskovcin shqiptar, tokën që ndër shekuj ka frymuar kuqezi. Në sekondat e fundit të pjesës së parë, Manaj bën një goditje të bukur nga jashtë zone, për ta çuar topin në rrjetë e duke i dhënë Shqipërisë një fitore historike, të madhe dhe natyrisht me shumë vlera për vetë objektivin që kuqezinjtë kishin. Ai 3 pikësh, e shkëputi skuadrën tonë në vendin e parë dhë nëse deri atë ditë, kualifikimi nuk varej nga ne, goli i Manajt e ndryshoi historinë e kualifikueseve dhe bëri që Shqipëria të vendoste vetë për fatin e saj. Minutat në vazhdim, po flisnin vetëm për Shqipërinë dhe çdo minutë që kalonte, e afronte skuadrën tonë me historinë dhe kështu, më 11 tetor, Shqipëria mori fitoren e parë në histori kundër Serbisë në fushën e blertë, duke qenë se një fitore më parë e pat arritur në vitin 2014, kur Ballist Morina arriti të ngrinte dronin mbi stadium.
KUALIFIKIMI PËR HERË TË PARË Fitorja në Serbi, i hapi rrugë Shqipërisë për të synuar seriozisht vendin e dytë dhe kuqezinjtë e dinin mirë se për ta bërë, duhej patjetër fitore në Andorra. Dhe në fakt, kështu ndodhi. Goli i shënuar nga Kristjan Asllani në atë sfidë, e kualifikoi Shqipërinë, ndërkohë që Serbia nga ana tjetër po mundej në Londër nga Anglia, duke e bërë më të lehtë për skuadrën tonë sepse një rezultat tjetër në Londër, do të linte gjithçka të hapur për ndeshjen e fundit, aty ku Serbia do të priste Letoninë e ne do të përballeshim me Anglinë. Fitorja jonë në Andorra, na çoi në kuotën e 14 pikëve dhe për herë të parë në histori, arritëm që të kualifikohemi në “Play Off” të Kupës së Botës”. Pak javë më parë, u hodh edhe shorti për këtë fazë, ku goglat vendosën Shqipërinë përballë Polonisë dhe fakti që ne jemi në vazon e tretë, e lejon Poloninë që të jetë pritëse teksa për finalen ishte me short. Shqipëria përballet me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi dhe sërish, kuqezinjtë do të përballen në transfertë. Kështu, nëse Suedia arrin të fitojë, finalja do të luhet në Suedi, ndërsa Ukraina ka zgjedhur t’i luajnë në Spanjë ndeshjet e saj.




















