Kryeministri Edi Rama ka reaguar përsëri lidhur me replikat e vazhdueshme të tij me sistemin e drejtësisë. Në platformën “X” Rama ka reaguar sa i takon kërkesës së kanë bërë magjistratët e drejtësisë për rritje page, nga 1600 Euro deri në 3100 Euro plus në muaj, sipas kryeministrit Edi Rama.
Ai shkruan më tej se nuk është “çudi”, pasi sipas tij nëse sistemi i drejtësisë me një vendim gjykate merr kompetencat e kryeministrit, Presidentit e parlamentit bashkë, arrin të marrë nga arka e shtetit me një vendim tjetër gjykate mijëra para për të rritur pagat e tyre.
Duke iu referuar edhe reagimit të paradites së kësaj të marte lidhur me reagimin e Shoqata e Gjyqtarëve të Shqipërisë, Rama shpjegoi se ja përse nuk e ka hallin te pezullimi i një ministri/e, por te rreziku i përmbysjes së balancave mes pushteteve.
“’S’ka mundësi’, më shkruajnë disa, lidhur me kërkesën e gjyqtarëve për ta rritur pagën me 1600 Euro mbi aktualen!
Jo vetëm që ka mundësi, po 1600 Euro është rritja që kërkojnë magjistratët e këshilltarët e zakonshëm, se mes rritjekërkuesve janë edhe specialët, pra ata të GJKKO dhe SPAK-ut, të cilët kanë pagat më të larta në republikë, por kërkojnë edhe një rritje prej 3100 Eurosh!
Po, asnjë shaka, detin ku aktualisht marrin 6130 Euro në muaj, tani duan që t’ua kthejë në kos Gjykata Kushtetuese me 3100 Euro plus, e si përfundim të marrin 9230 Euro në muaj.
Si ka mundësi?!
Ka mundësi si jo, kur arrin të ndryshosh edhe qeverinë me një vendim gjykate, duke marrë kompetencat e kryeministrit, Presidentit e parlamentit bashkë, pa pasur marrë një kokërr vote të vetme nga populli tërë jetën tënde, si nuk arrike të marrësh nga arka e shtetit me një vendim tjetër gjykate, mijëra euro për të rritur pagën tënde?!
Kush ka mbetur pa e kuptuar që s’e kam hallin tek një ministër unë, po tek rreziku real i përmbysjes së balancës demokratike mes pushteteve?!”, ka shkruar kryeministri Edi Rama.




















