Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha po zhvillon një takim me aleatët e Federatës së Opozitës së Bashkuar. Në fjalën e tij, Berisha ka folur për zv.kryeministren Belinda Balluku duke marrë shembuj të politikanëve të tjerë që kanë dhënë dorëheqjen kur i është dashur të përballen me ligjin.
Gjithashtu Berisha foli dhe për kërkesën e PS-së për të përjashtuar më shumë se gjysmën e deputetëve të PD nga aktivitetet parlamentare pas kaosit të djeshëm të shkaktuar në Kuvend. Kryedemokrati sulmoi Taulant Ballën duke thënë se është më kriminel se krerët e bandave në Shqipëri.
“Imagjinoni kjo që po ndodh është tipike për një narkoshtet. Mos harroni, një zv/kryeministër, pa e kërkuar prokuroria dhe pa u paraqitur një kërkesë për hetim, dorëzoi mandatin dhe postin dhe ky ishte Ilir Meta sapo doli një dokument 100% i manipuluar. Fatmir Mediu, për një çështje që ishte absolutisht e aparatit ushtarak, dha dorëheqjen nga posti dhe u paraqit para hetimit.
Në çdo rast, edhe Ilir Rusmajli u shkarkua brenda 24 orëve për qëndrimin që mbajti ndaj drejtorit që dënonte korrupsionin. Ilir Rusmajli ishte bashkëpunëtor i imi i afërt, por kur shkarkoi drejtorin për shkak të ndërhyrjes së vëllait, Rusmajli u shkarkua.
Tani ka një muaj që shteti është i gozhduar, sepse Belinda Balluku nuk jep dorëheqjen, ndërsa Rama bën hapin e turpit: e çon çështjen në Kushtetuese dhe merret një vendim i padëgjuar. Ka 10 ditë që po modifikohen provat. Unë përgëzoj vendimin e prokurorisë për të kërkuar arrestimin e saj si kusht për të mbrojtur interesin publik. Çfarë ndodhi dje në Parlament, dhe tani kërkojnë të përjashtojnë më shumë se gjysmën e deputetëve? Ai që drejton grupin e PS-së është më kriminel se Suela Çela, Elvis Doci dhe Safet Bajri. Sepse ata rrinë në bodrumet e tyre, ndërsa ky rri në zyrat e qeverisë, i mbron dhe zbaton urdhrat e tyre”, tha Berisha.










