Juventusi fitoi të mërkurën 2-0 kundër Pafos për raundin e gjashtë në fazën e ligës së Champions League dhe me nëntë pikë merr vendin e 17-të. Deri në fundin e fazës së ligës janë edhe dy takime, me ‘Zonjën e Vjetër’ që luan përballë Benficas në Torino dhe kundër Monacos në udhëtim.
Pas tri pikëve të djeshme, trajneri Luciano Spalletti ka çuar një ‘sms’ për drejtuesit, pasi pas ndeshjes tha se kërkon një qendërmbrojtës për të ndryshuar skemën në 4-2-3-1.
“Pse nuk bëra ndonjë ndryshim më parë? Kisha frikë se mos krijoja konfuzion duke bërë ndryshime në 45 minutat e para, por më pas ishim më të organizuar dhe të vendosur. Këto ndeshje janë gjithmonë të vështira, Pafos kishte pësuar shumë pak gola deri më tani. Dhe sa i përket vështirësive tona mbrojtëse, duhet të marrim një mbrojtës të djathtë në mënyrë që Kalulu të mund të luajë si mbrojtës i krahut dhe gjithashtu Cambiaso, i cili është shumë sulmues, por vuan pak kur duhet të mbrohet”, tha ai.
Në pjesën e parë Juvja rrezikoi të pësonte në disa raste, me Spallettin që është kritik.
“Ne pranuam shumë dhe nuk i shfrytëzuam sa duhet aftësitë tona, pa i realizuar deri në fund aksionet. Kështu është për momentin. Mendimi im për lojtarët, megjithatë, mbetet i pandryshuar, edhe nëse po bëjnë më pak nga sa pres. Shumë pak…”, vijoi trajneri.
Trajneri i Juventusit vazhdoi analizën e tij, duke u përqendruar edhe në faktin e mungesës së kohës dhe kalendarit të ngjeshur.
“Ka pak kohë. Edhe pas Napolit, patëm një problem me aeroplanin kur u kthyem në orën 5 të mëngjesit. Seancat stërvitore ishin minimale dhe taktike, me disa goditje standarde këtë mëngjes. Nuk mund ta gjej përsëri ritmin apo intensitetin tim me kaq kohë.
Yildiz? Ia kurseva 20 minutat e fundit, duke shpresuar se do të rikuperohet më mirë për Bolognën, duke u përpjekur t’ia heq pak stresin. E njëjta gjë vlen edhe për Mirettin dhe Adzicin, i cili ka cilësi. Ka disa gjëra që duhen rregulluar. Kjo skuadër duhet të sillet në nivelin e duhur.
Ndryshimet në formacion? Shpresoj që së shpejti të kem një mbrojtës qendror që mund të luajë me këmbën e djathtë, sepse në këtë mënyrë skuadra është shumë e kufizuar, mbrojtësit e krahut lëshojnë diçka në mbrojtje, po punojmë për këtë, por dua të zhvilloj një skemë 4-2-3-1”, tha Spalletti.




















