Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka përcjellë angazhimin e Shqipërisë në Takimin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s, duke theksuar rolin aktiv të vendit në forcimin e sigurisë kolektive të Aleancës.

Në deklaratën e bërë publike, Spiropali u shpreh se Shqipëria mbetet një aleat i besuar dhe plotësisht i angazhuar për përballimin e sfidave aktuale të mbrojtjes dhe sigurisë në kuadër të NATO-s.

Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e Korridorit VIII, të cilin e cilësoi si një arterie strategjike të gatishmërisë së Aleancës, duke theksuar kontributin që Shqipëria jep për mobilitetin ushtarak dhe qarkullimin e shpejtë të kapaciteteve mbrojtëse.

“Ne mbetemi të përkushtuar për modernizimin e infrastrukturës dhe rritjen e kapaciteteve për lëvizje të shpejtë, si kontribut konkret për sigurinë kolektive të Aleancës”, deklaroi Spiropali.

Sipas ministres, investimet në modernizim dhe logjistikë përbëjnë një element thelbësor të rolit që Shqipëria synon të ketë brenda NATO-s, në një periudhë kur sfidat e sigurisë në rajon dhe më gjerë kërkojnë bashkëpunim të shtuar mes aleatëve.