Turizmi dimëror duket se do të ketë një nisje të fortë këtë sezon, me rezervime që kanë tejkaluar pritshmëritë në disa nga destinacionet më të frekuentuara në veri të vendit.
Thethi dhe Valbona rezultojnë tashmë të rezervuara pothuajse plotësisht, falë nisjes së hershme të reshjeve të dëborës dhe investimeve të vazhdueshme në bujtina dhe struktura agroturizmi që kanë rritur cilësinë e akomodimit.
“Thethi dhe Valbona janë tashmë të rezervuara pothuajse plotësisht, sepse dëbora ka nisur më herët dhe investimet në bujtina dhe agroturizëm kanë rritur ndjeshëm kapacitetet. Këtë sezon po e dominojnë turistët polakë dhe nga Kosova, por kemi edhe një shtim të dukshëm të vizitorëve bullgarë e izraelitë. Në përgjithësi, prenotimet për festat e fundvitit janë rritur, dhe pritshmëritë janë që në shifra të jemi më mirë se një vit më parë”, tha Rrahman Kasa, kreu i Unionit Turistik Shqiptar.
Edhe çmimet, sipas operatorëve, mbeten relativisht të qëndrueshme. Nuk raportohet rritje e kostove për turistët, me përjashtim të disa strukturave që kanë kryer investime të reja gjatë vitit.
Ndërkohë, bizneset në Dardhë dhe Voskopojë po përgatiten për fluksin e festave, teksa kërkesa për paketat familjare është rritur në mënyrë të ndjeshme.
“Sektori është i përgatitur për fluksin dhe deri tani nuk kemi raportime për rritje të kostove, përveç disa hoteleve që kanë kryer investime të reja. Ajo që i nevojitet turizmit dimëror janë më shumë investime në pista skish dhe aktivitete argëtuese, për ta bërë ofertën më të plotë dhe më konkurruese. Nëse infrastruktura mbështetëse vazhdon të përmirësohet, sezoni i këtij viti pritet të jetë më i suksesshëm”, tha Kasa.
Për operatorët, ky vit pritet të mbyllet me një bilanc më pozitiv se sezoni i kaluar, falë interesit të lartë të turistëve të huaj dhe rezervimeve të hershme për fundvitin.




















