Marco Imarisio – Corriere della Sera
Presidenti rus Vladimir Putin i ka kujtuar homologut amerikan Donald Trump se paqja e vërtetë kërkon një zgjedhje të pamohueshme: Rusia ose Europa.
Mesazhi ishte i qartë dhe i fortë, kontinenti i vjetër nuk mund të jetë pjesë e negociatave, përndryshe asgjë nuk do të realizohet.
Analistët shpjegojnë se tonet e ashpra të përdorura nga Kremlini nuk ishin një shprehje emocionale, por një mesazh strategjik për partnerin amerikan.
Putin ndjen se pas ndërhyrjes së udhëheqësve europianë, kartat në tavolinë janë ndryshuar dhe planet e reja të dialogut nuk i interesojnë. Ai e thekson shpesh herë se plani amerikan prej 28 pikash, prezantuar si version modernizuar i propozimeve të tij gjatë takimit historik me Trump-in në Alaska, nuk është respektuar nga Europa dhe Ukraina.
Për Putinin, prania e Europës në bisedime pengon interesat ruse dhe e bën të domosdoshëm një rishikim të marrëdhënieve.
“Larg Europës, Rusia ka të ardhme më të sigurt. Partneritetet me Kinën dhe Indinë janë në zhvillim, tregtia rritet dhe sovraniteti teknologjik po përmirësohet”, ka deklaruar një zyrtar i lartë rus.
Aleksandr Yakovenko, ish-ambasador në Londër dhe tani rektor i Akademisë Diplomatike, nënvizon se qëllimi i Putin është të krijojë një distancë sa më të madhe midis SHBA-ve dhe asaj që ai e quan “Perëndimi kolektiv”. Sipas tij, Trump mund të rigjallërojë madhështinë amerikane duke sfiduar aleancën atlantike, e cila sipas Putinit është bërë një barrë për SHBA-të.
Në këtë kontekst, mesazhi i Putinit është si një ultimatum: Trump duhet të zgjedhë anën e Rusisë dhe të largojë Europën nga ekuacioni. Në të kundërt, marrëdhënia e tyre strategjike rrezikohet dhe Europa mbetet armiku kryesor në imazhin që propaganda ruse ka krijuar: si një mbështetëse e “nazistëve ukrainas”.
Në thelb, Kremlini po tenton të ridrejtojë fuqinë globale sipas interesave ruse, duke e detyruar partnerin amerikan të marrë një vendim të qartë në një lojë ku Europa nuk ka vend.




















